Ministria e Financave ka mbajtur sot takimin e Dialogut të Politikave të Menaxhimit të Financave Publike (MFP), ku të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e institucioneve të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e Komisionit Evropian, partnerët tjerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët diskutuan për progresin por edhe sfidat në zbatimin e Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike 2016-2018.
Në këtë takim, i cili kryesohej nga zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, u diskutua për Raportin vjetor 2018 të Progresit të Implementimit të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike (MFP) 2016 – 2020, ku nga të pranishmit u cilësua si një e arritur.
Sipas zëvendësministrit Fatmir Gashi, Menaxhimi i Financave Publike, si pjesë e shtyllës së tretë të Reformës së Administratës Publike, ka përkushtimin maksimal të Ministrisë së Financave dhe institucioneve të përfshira si Zyra Kombëtare e Auditimit, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.
“Për sa i përket Raportit vjetor 2018 të progresit të implementimit të Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike 2016-2018, përgatitja e tij ka qenë një kombinim i takimeve dhe konsultimeve brenda GK për MFP dhe konsultimeve me palët ndër institucionale dhe me palët tjera të interesit. Përfundimisht ka kaluar edhe diskutimin në Takimin e Këshillit Ministror për Reformën e Administratës Publike (KMRAP). Raporti është bazuar në planin e veprimit dhe pasaportën e indikatorëve, duke raportuar në nivel të prioriteteve bazuar në indikatorë”, shtoi Zëvendësministri Gashi“.
Ai bëri të ditur se ky raport i tretë vjetor, përmbledh dhe paraqet arritjen e prioriteteve dhe progresin në aktivitete të Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike (SRMFP) gjatë vitit 2018.
“Hartimi i raportit monitorues vjetor ka për qëllim shqyrtimin e progresit të arritur në zbatimin e strategjisë si dhe identifikimin e sfidave dhe ndërmarrjen e masave korrigjuese. Raporti i tretë vjetor i zbatimit të Strategjisë për Reformën e MFP evidenton progres të kënaqshëm”, shtoi Zëvendësministri Gashi .
Ai gjithashtu falënderoi partnerët strategjik të Ministrisë së Financave, si Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Komisionin Evropian, USAID, SIGMA, GIZ, etj. për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme në arritjen e një sistemi modern të Menaxhimit të Financave Publike.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Naim Baftiu, njëherit edhe kryesues i Grupit Koordinues për MFP theksoi se Raporti i tretë vjetor i zbatimit të Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike (SRMFP), është bazuar në Planin e veprimit 2016-2018, dhe gjatë hartimit janë evidentuar si progresi ashtu edhe sfidat që kemi has gjatë zbatimit të tij. Strategjia është ndërtuar mbi 4 shtylla, 12 prioritete dhe 23 indikatorë, që përfshijnë gjithsej 66 aktivitete në të gjitha fushat e reformës së MFP.
“Bazuar në kontributet e pranuara nga strukturat përgjegjëse, nga gjashtëdhjetë e gjashtë aktivitetet e planifikuara, raportohet se shumica e aktiviteteve të parapara për këtë vit janë zbatuar”, shtoi Baftiu.