Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka bërë lansimin e raportit mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Ministria e Financave është duke ndërmarrë një reformë të gjerë të Menaxhimit të Financave Publike. Pjesë përbërëse e kësaj reforme, është edhe evoluimi i procesit të planifikimit buxhetor.
Igablle Rogova, kryetare e Rrjetit të Grupit të Grave, tha se niveli qendror, donatorët dhe shoqëria civile po punojnë së bashku drejt arritjes së barazisë gjinore në Kosovë.
Drejtori i misionit të USAID-it, James Hope, tha se asnjë personi nuk mund t’i mohohet një benifit arsimor në bazë të gjinisë.
“Ne dëshirojmë që të gjitha femrat e Kosovës të jenë të barabarta të jenë të arsimuara të sigurohen që askush mos të mbetët mbrapa”, ka thënë Hope.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, tha se “tashmë jemi unik në pranimin e nevojës për politikbërje dhe rrjedhimisht për buxhetim më të përgjegjshëm gjinor, gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi të cilat i garantojnë të drejtat e njeriut dhe në veçanti barazinë gjinore”.
“Si pjesë e aktivitetit mbështetës të USAID përmes programit të Partneritetit për Zhvillim, me implementim të grantit nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ne tashmë kemi dy shembuj konkret se si duhet ndërmarrë në praktikë ky hap i parë, duke ndërtuar një sistem informatash i cili mundëson identifikimin e pabarazive gjinore deri në nivelin më të detajuar funksional, atë të nën-programit buxhetor”, ka shtuar Zëvendësministri Krasniqi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se “Nga viti i kaluar Ministria e Financave është duke ndërmarrë një reformë të gjerë të Menaxhimit të Financave Publike. Pjesë përbërëse e kësaj reforme, është edhe evoluimi i procesit të planifikimit buxhetor nga një proces i planifikimit të inputeve buxhetore në një proces të targetimit të performancës së programeve buxhetore, sipas dokumenteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, tha se ndarjet buxhetore janë shumë të rëndësishme dhe prekin jetën e secilit qytetarë varësisht se si ato ndahen dhe nga cila perspektivë shikohen.
“Nuk jemi të kënaqur me të gjeturat e raportit, por është kjo një gjendje realiteti në të cilën po përballemi dhe zotohemi këtu se rekomandimet do t’i marrim me shumë seriozitet, sepse është një pjesë e rëndësishme”, tha ajo.
Bajrami bëri të ditur për marrjen e disa sa hapave konkret, ku me mbështetje e Qeverisë së Kosovës dhe USAID-it kanë themeluar Fondin për Garanci Kreditore, dhe ndikon që të ketë një lehtësi për qasjen e financave dhe të gjitha bizneseve të grave.
“Ne sot në vitin 2016 kemi një pjesëmarrje më të madhe të grave në fushën e biznesit, derisa vitin 2014 në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve kishim vetëm 16 për qind biznese me pronare gra në vitin 2016 kemi 24.3 për qind të bizneseve që janë të shënuara me pronare gra”, tha ajo.