Ministria e Financave ka marrë vendim që disa masa të Pakos Fiskale 2.0 të fillojnë të zbatohen që nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka kërkuar funksionalizim të shpejtë të Pakos Fiskale 2.0, sepse çdo vonesë, sipas tyre, çon në dëmtim të bizneseve. Aleanca Kosovare e Biznesit i ka propozuar qeverisë edhe disa masa të reja për pakon 2.0
Pakoja fiskale 2.0 është pako e cila është aprovuara nga qeveria e kaluar, por që nuk ka qenë e funksionalizuar për shkak të mungesës së udhëzimeve administrative.
Ministria e Financave përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se ministri Bedri Hamza,” ka marrë vendim për lirim nga tatimi doganor dhe akcizës te të gjithë prodhuesit për lëndë të parë, gjysmë produkt, linja të prodhimit, pajisje të teknologjisë informative, lirim për të gjitha burimet e energjisë që përdoren si lëndë ndihmese në proces të prodhimit. Këto masa do të jenë në fuqi nga 01 janari 2018,” përfundon përgjigja nga Ministria e Financave.
Ndërsa kryetari i Aleanca Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se kanë zhvilluar një takim me Qeverinë e Kosovës, gjegjësisht Ministrinë e Financave, ku kanë diskutuar për Pakon Fiskale 2.0, duke dhënë kështu edhe disa propozime të reja.
Propozimi për parandalimin e informalitetit në Kosovë në telefonitë mobile, në ari e në gjëra që kanë vlerë e që në treg janë në shitje, por vijnë përmes kanaleve të ndryshe e që nuk u nënshtrohen taksave, e kjo është një humbje e madhe për buxhetin e vendit.
Sipas Shahinit, qeveria do të përgatisë akte nënligjore, rregullore të reja për të përcjellë këtë pako fiskale në fillim e vitit të ardhshëm.