Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se Kosova ka marrë vlerësimin kreditor “BB” nga Agjencia e Vlerësimit Kreditor Fitch Ratings, për herë të parë në historinë e vendit.
Vlerësimi Kreditor është indikator tepër i rëndësishëm që tregon aftësinë e një vendi për të shlyer borxhet, dhe merr parasysh qendrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera.
“Në raportin e publikuar më 19 Prill, Fitch Ratings thekson në veçanti kredibilitetin e politikave fiskale, stabilitetin dhe nivelin e ulët të borxhit publik, deficitin e ulët buxhetor, dhe sektorin bankar të qëndrueshëm si arsyet kryesore që kanë mbështetur pozitivisht vlerësimin e tyre kreditor për Kosovën. Sipas raportit, Fitch Ratings ka vlerësuar punën e bërë nga Qeveria në fushën e politikave fiskale me uljen e deficit buxhetor si dhe rritjen e vazhdueshme të mbledhjes së tatimit. Agjencia vlerëson nivelin e ulët të borxhit publik i cili ka rënë në 17% të BPV-së si dhe shkallën e inflacionit në rënie, e cila në muajin mars ka prekur nivelin 2.3%”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e MFPT’së, thuhet se ky Vlerësim Kreditor e vendos Kosovën në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme, duke forcuar kështu edhe më tej pozicionin e vendit dhe njohjen në arenën ndërkombëtare.