MI-ja financon realizimin e tri projekteve infrastrukturore në Lipjan

Lipjan | 15 Shk 2017 | 15:55 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, kanë nënshkruar një  Memorandum  mirëkuptimi për financimin e tri projekteve infrastrukturore në komunën e Lipjanit.

Me këtë Memorandum do të financohen rikonstruimi i rrugës Magurë – Blinaj në vlerë prej 500,000 €, ndërtimi i rrugës Vojnovc (Shtime) – Topliqan (Lipjan) në vlerë prej 250,000 € dhe riasfaltimi i rrugës Llugaxhi – Gadime në vlerë prej 150,000 €.

Në një komunikatë për medie bëhet e ditur se Ministria e Infrastrukturës obligohet të sigurojë mjetet financiare për realizimin e projekteve, ndërsa Komuna e Lipjanit obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të këtyre projekteve, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së.

Komuna po ashtu, obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë.

Komuna e Lipjanit, është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projektit, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ambinetit dhe Planifikimit Hapsinorë dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme