Ministria e Infrastrukturës njofton se me gjithë reshjet e djeshme të borës, rrugët në tërë vendin vazhdojnë të jenë të kalueshme.
Menaxherët rajonalë të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) me ekipet mbështetëse dhe kompanitë e kontraktuara nga MI vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie, duke monitoruar, mirëmbajtur dhe pastruar rrugët në tërë vendin.
“Koordinimi me Policinë e Kosovës po bëhet në vazhdimësi, për të mundësuar zhvillimin e komunikacionit pa pengesa dhe sigurt. Po ashtu, ekipet e MI-së janë duke bashkëpunuar me ekipet lokale, si ndihmë shtesë, nëpër të gjitha komunat e Kosovës”, thuhet në njoftimin e MI-së.
Me gjithë gjendjen e mirë të rrugëve në tërë vendin, Ministria e Infrastrukturës i këshillon qytetarët që të jenë shumë të kujdesshëm në komunikacion, të jenë të kompletuar me pajisjet e nevojshme dimërore për qarkullim dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.