Mici do të luajë për Kosovën me pasaportë të Shqipërisë, s’ka pasaportë kosovare

Prishtinë | 31 Maj 2021 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Për herë të parë një futbollist i Shqipërisë është ftuar për të luajtur për Kosovën. Bëhet fjalë për Gledi Micin, i cili ka marrë ftesë për dy ndeshjet miqësore që Kosova i luan në Antalia të Turqisë, ndaj Guineas dhe Gambisë.

Mici aktualisht luan për Prishtinën tash e një vit, ndërsa paraprakisht kishte luajtur për Shkëndijën.

Por, ai nuk ka pasaportë të Kosovës. I kontaktuar nga Express, drejtori i Prishtinës, Fisnik Kërçeli tha se Mici ka vetëm pasaportë të Shqipërisë dhe pasaportë amerikane.

“Jam i sigurt që Mici e ka vetëm pasaportën e Shqipërisë dhe të Amerikës”, tha Kërçeli.

Në anën tjetër, drejtori sportiv i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti tha se nuk nevojitet pasaporta e shtetit për të luajtur në ndeshje miqësore.

“Për ndeshje miqësore nuk nevojitet pasaportë. Pasaporta nevojitet vetëm për ndeshje zyrtare”, tha Sahiti për Express.

Përveç Micit, Kosova ftoi edhe tre futbollistë të Prishtinës, pesë të Ballkanit dhe një të Trepçës’89.

Të ngjashme