Microsofti prezanton funksionet e reja “smart” për Outlook në web

Prishtinë | 01 Pri 2019 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Microsofti ka publikuar një varg funksionesh të reja inteligjente për Outlookun në web, me qëllim që t’ua lehtësojë përdoruesve të mbesin në rrjedha me mbajtjen e takimeve. Kjo është mundësuar falë frameworkut të ri i cili e lanson këtë përvojë shfrytëzimi, ndërsa për përdoruesit do të jetë në dispozicion në javët e ardhshme, raporton Neowin.

Së pari, ofrohen informatat për takimet, gjë që është sigurisht karakteristika më komplekse që është publikuar. Funksioni do t’i mbledhë të gjitha informacionet e disponueshme para takimit dhe gjithashtu do t’i mbledhë të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me takimet e mëparshme pas përfundimit të tyre. Do të shfaqen fajllat e ndara përmes e-mailit, në SharePoint ose OneDrive, si dhe e-mailat që u referohen takimeve, shënimet dhe përmbajtja që ndahet gjatë takimeve. Kjo do të duhej t’ia mundësojë përdoruesve të mbesin në rrjedha, para dhe pas përfundimit të takimit.

Image

Karakteristikat e tjera e përfshijnë opsionin e ri të përgjigjes së mençur, i cili menjëherë ju lejon të filloni me caktimin e takimit. Kjo lidhet me funksionin e përgjigjes së mençur i cili u publikua në shtator të vitit të kaluar, por tani do të detektojë kur përdoruesi dëshiron ta planifikojë takimin dhe ta ofrojë këtë mundësi automatikisht.

Nëse caktoni takime për më shumë njerëz, do të ofrohen sugjerimet për kohën gjatë të cilës të gjithë pjesëmarrësit janë të lirë, propozimet për vendndodhjen e takimit, kërkimet e termineve të lira etj, shkruan KOHA Ditore.

Microsofti thekson se këto karakteristika do të zbatohen vetëm në web versionin e Outlookut, pasi që kompania së pari dëshiron të mbledhë reagime mbi funksionet. Në të ardhmen, ato gjithashtu do të mund të jenë të disponueshme në versione të tjera të Outlookut, por nuk është publikuar afati kohor se kur mund të ndodhë kjo.

Të ngjashme