MICS 2025: Përmirësohet mbijetesa e fëmijëve, por mbulueshmëria me MMR mbetet e ulët

Prishtinë | 15 Sht 2026 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në partneritet me UNICEF-in, ka prezantuar gjetjet e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2025, e cila sjell të dhëna për kushtet e jetesës së familjeve, shëndetin, arsimin, ushqyerjen dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Sipas gjetjeve të prezantuara, një nga përmirësimet më të rëndësishme është ulja e vdekjeve të foshnjave brenda muajit të parë të jetës. Në popullatën e përgjithshme, kjo shifër ka rënë nga 11 në vitin 2020 në tetë në vitin 2025, ndërsa te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian rënia është 29 për qind.

Megjithatë, te këto komunitete ende regjistrohen 15 vdekje neonatale.

Teuta Halimi, specialiste për monitorim të të drejtave të fëmijëve në UNICEF, tha se të dhënat tregojnë përmirësime në disa fusha, por edhe sfida që mbeten për t’u adresuar.

“Aktualisht përqindja e fëmijëve nën moshën pesë vjeçare që jetojnë në familjet e kuintalit më të varfër ka rënë nga 25% sa ka qenë në vitin 2020 në 19% në vitin 2025. Kjo rënie është vërejtur tek fëmijët nga popullata e përgjithshme, por nuk vërejmë një përparim të njëjtë, të të njëjtit trend edhe për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, për të cilët kjo përqindje vazhdon të mbetet e njëjtë, në 27% që nga viti 2020”, tha ajo.

Halimi theksoi se përmirësim është shënuar edhe në mbijetesën e fëmijëve, duke veçuar rënien e vdekjeve gjatë muajit të parë të jetës.

“Një nga arritjet më të rëndësishme të evidentuara nga kjo anketë është përmirësimi i mbijetesës së fëmijëve në Kosovë. Sot më pak fëmijë po vdesin brenda muajit të parë të jetës. Në popullatën e përgjithshme kemi një rënie prej 27% nga viti 2020. Sa ka qenë 11, tash kemi tetë foshnja që vdesin në brenda muajit të parë të jetës. E përmirësimi është edhe më i dukshëm në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, me ç’rast kjo rënie ka shënuar një përqindje prej 29% nga viti 2020. Sidoqoftë vlen të përmendet se pavarësisht këtij përmirësimi inkurajues, ende numri i vdekjeve mbetet i lartë, me 15 vdekje neonatale ose brenda muajit të parë të jetës për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, tha ajo.

Sa i përket vaksinimit, ajo tha se imunizimi i plotë ka shënuar rritje, por mbulueshmëria me vaksinën MMR kundër fruthit mbetet sfidë.

“Mbulueshmëria me vaksinim po lëviz në drejtimin e duhur. Imunizimi i plotë është rritur si në popullatën e përgjithshme ashtu edhe tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në fakt tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian kemi një rritje pak më të madhe, krahasuar me popullatën e përgjithshme. Megjithatë mbetet ende punë për të arritur cakun kombëtar që Kosova e ka, dhe nivelin global për mbulueshmërinë e fëmijëve me vaksinë me imunizim të plotë. Këtu po flasim për marrjen e të gjitha vaksinave në kohë në bazë të kalendarit kombëtar të vaksinimit për fëmijë. Nëse i shikojmë vaksinat ose imunizimin vaksinat individuale, vaksina kundër fruthit, apo MMR-i, mbetet ende pak më e ulët, me mbulueshmëri më të ulët, me 83% në popullatën e përgjithshme dhe 57% në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, e cila ka shënuar një rënie nëse e krahasojmë edhe nga viti 2020. Por ne të gjithë e dimë se ky është një trend, një trend i njëjtë në regjion, me veçanërisht rënien e disa prej e mbulueshmërisë me vaksina, veçanërisht pas COVID-it”, tha ajo.

Një tjetër gjetje e MICS 2025 lidhet me ushqyerjen e fëmijëve. Halimi tha se ushqyerja ekskluzive me gji është rritur ndjeshëm, por cilësia e ushqyerjes së fëmijëve nuk është përmirësuar me të njëjtin ritëm.

“Gjetjet për ushqyerjen e fëmijëve na paraqesin paksa një pasqyrë më të përzier. Nga njëra anë praktikat e ushqyerjes me gji po përmirësohen. Ushqyerja ekskluzive me gji është rritur ndjeshëm, nga 29% sa ka qenë në vitin 2020 në 42% në vitin 2025. E ky zhvillim është shumë pozitiv, pasi ushqyerja me gji sjell përfitime të rëndësishme shëndetësore dhe të zhvillimit të fëmijëve. Por nga ana tjetër cilësia e ushqyerjes së fëmijëve nuk po përmirësohet me të njëjtin ritëm. Edhe pse rreth 80% e fëmijëve të moshës 6 deri në 23 muaj, nëse e shikojmë shpeshtësinë e rekomanduar të shujtave ose ushqimeve marrin shpeshtësinë minimale që është për fëmijët gjashtë deri në tetë muaj është së paku dy vakte ose dy shujta, derisa për fëmijët e moshës 9 deri në 23 muaj është së paku tre”, tha ajo.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, tha se MICS-i ofron të dhëna të rëndësishme për fëmijët dhe ekonomitë familjare, të cilat mund të përdoren për hartimin e politikave dhe përcjelljen e ndryshimeve ndër vite.

“Këto të dhëna tregojnë jetën e fëmijëve si dhe të ekonomive familjare duke mundësuar që të përcillen vit pas viti zhvillimet që kanë ndodhur si te fëmijët ashtu edhe te ekonomitë familjare. Vlera e këtyre të dhënave rritet me qëllimin që ato të bëhet implementimi i tyre. MICS-i është burimi kryesor apo më i madh i të dhënave për fëmijë në botë. MICS-i ka 30 vite që zhvillohet në arenën globale, derisa në Kosovë për herë të parë MICS-i është zhvilluar në vitin 2014. MICS-i zhvillohet në 100 e më shumë, 120 vende të botës, që ndihmon të plotësojmë domethënë boshllëqet e të dhënave administrative, e mat atë që po ndryshon në kohë si dhe të kuptojmë realitetin në terren”, tha ai.

Kastrati tha se Kosova e ka zhvilluar MICS-in në vitet 2014, 2020 dhe 2025, ndërsa në kuadër të raundit të fundit janë mbledhur mbi 100 tregues, përfshirë edhe 30 tregues të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

“Ky është raundi i shtatë i MICS-it në nivel global, ndërsa Kosova e zhvillon që nga viti 2014, 2020 edhe 2025. Me të dhënat e vitit 2025 tani Kosova është në gjendje për që të përcjellë domethënë zhvillimet dhe ndryshimet që kanë ndodhur si në ekonomitë familjare ashtu edhe te fëmijët. Paralelisht janë zhvilluar dy anketa në të njëjtën kohë. Anketa në popullsinë e përgjithshme, që ka mbuluar të gjitha komunitetet, përveç komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptian, që ka qenë anketë e veçantë. Domethënë, në të njëjtën kohë janë zhvilluar dy hulumtime, me qëllim për të parë më në detaje sepse nganjëherë mesataret nuk tregojnë realitetin, domethënë, e dukurisë në terren. Janë grumbulluar më shumë se 100 tregues, duke përfshirë edhe 30 tregues të OZhQ-ve apo të njohur si SDG”, tha ai.

Sipas tij, anketa ka mbuluar disa fusha kryesore, ndërsa të dhënat mund të ndahen sipas vendbanimit, moshës, gjinisë, nivelit të edukimit dhe përkatësisë etnike.

“Ky raund mbulon kushtet e jetës së familjes, shëndetit, arsimit, ushqyerjen, që është një indikator që është kërkuar nga shumë institucione, zhvillimet dhe mbrojtjen e fëmijëve, me pyetësorët e përshtatur që kanë qenë në këtë anketë. Kanë qenë pesë module. Këto janë modulet: për ekonominë familjare, për meshkujt e moshës 15-49, për femra një ashtu, për fëmijët dhe adoleshentët 15-17 dhe moduli për fëmijët nën moshën 5-vjeçare. Të dhënat janë grumbulluar, domethënë përmes metodës CAPI, përmes metodës elektronike, dhe ka mundësi të disagregohen apo të ndahen duke filluar nga niveli i vendbanimit, moshës, gjinisë, shkallës së edukimit, si dhe përkatësisë etnike në nivelin më të vogël të mundshëm. Kjo do t’i mundësojë institucioneve që të bëjnë politika rajonale apo në nivel të caktuar”, tha ai.

Të ngjashme