Mungesa e prioritetit nga institucionet e qasja jo e duhur e kompanive ndaj punëtorëve, ka bërë që të rritet migrimi në vend. Krahas kësaj, njohësit e çështjeve ekonomike në vend, kanë kërkuar projekte zhvillimore që mundësojnë uljen e trendit të migrimit, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë kërkuar nga institucionet që të merren më seriozisht me këtë çështje, pasi sipas tyre fokusi ka mbetur te dialogu.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini ka thënë për Ekonomia Online se zhvillimi ekonomik në vend ka ngelur anash dhe nuk është prioritet i Qeverisë aktuale.
Shahini shtoi se pa rritjen e fuqisë punëtore, nuk do të ketë rritje të ekonomisë në Kosovë. Kjo sipas tij, nuk ka ndodhur as në të kaluarën.
“Deri më tani kompanitë fitimet i kanë investuar në asete për të rrit kompanitë kurse tash ka ardh koha që kompanitë të investojnë nga fitimi në paga të punëtorëve dhe në rritjen e standardeve të punëtorëve nëse mendojnë që të rriten aktivitetet ekonomike dhe ta zhvillojnë ekonominë dhe t’i mbajnë punëtorët këtu, fuqia punëtore është tepër interesant, për ekonominë e vendit sepse pa fuqinë punëtore nuk rritet ekonomia”, ka thënë Shahini.
Shahini ka kritika për mungesë vizioni në zhvillim ekonomik. Sipas tij, Qeveria e Kosovës fokusin e ka vënë tk dialogu me Serbinë e krizat në veri të vendit.
“Niveli i punës dhe i zhvillimit në Kosovë nëse e krahasojmë nga viti 2019 e këndej ka rënë dhe aktualisht zhvillimi ekonomik i vendit është rreth 2 për qind më e ulëta nga Pavarësia e këndej dhe këtu ka shumë faktor se pse e kemi kaq të ulët rritjen e zhvillimit ekonomik në vend, për arsye se Qeveria prioritet e ka dialogun, marrëveshjet me Serbinë dhe veriun e Kosovës, ekonomia ka ngelur anash, subvencionimi ekonomik çoftë i fermerëve, çoftë i ndërmarrjeve private, çoftë i zhvillimit ekonomik është në rend 8, 9, 10 dhe nuk është prioritet më”, u shpreh ai.
Tutje, Shahini shtoi se ndonëse punohet më pak, paga në sektorin publik është rreth 100 euro më e lartë se në atë privat.
“Është interesant se paga mesatare në sektorin privat është rreth 100 euro më pak se ne sektorin publik dhe kjo e bënë që punëtorët vazhdimisht të kërkojnë strehim në sektorin publik, sepse atje punohet më pak dhe merret pagë më shumë, në sektorin privat punohet më shumë merret pagë me pak dhe kjo nuk është e drejtë dhe edhe qeveria nëse e shohim strukturën e subvencionimit të pagave, më shumë i u subvencionon punëtorët publik nëpër institucione sesa ata në sektorin privat dhe kjo e bënë edhe më të lakmueshme vendin e punës në institucion publik se sa në atë privat”, u shpreh Shahini.
Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Erton Bega, tha se emigrimi i popullatës ndodh për arsye të ndryshme. Shërbimet shëndetësore e arsimimi, janë disa nga arsyet e migrimit në Kosovë.
“Emigrimi është një fenomen kompleks që ndodh për shumë arsye. Në vitet e fundit në Kosovë nuk janë duke ikur vetëm personat e papunë por janë duke ikur edhe personat të cilët janë të punësuar dhe ata të cilët janë të punësuar dhe paguhen mirë kjo lidhet me shpresën të cilën njerëzit e kanë për të ardhme, lidhet me të ardhmen e fëmijëve, ndikojnë shumë faktor, sepse zhvillimi ekonomik i Kosovës, pavarësisht që ka qenë rreth 4-5% historikisht prej pavarësisë e këndej, nuk ka qenë i mjaftueshëm që të rritët standardi jetësor në atë mënyrë që qytetarët të jenë të sigurt për të ardhmen e tyre në Kosovë, prandaj faktori i migrimit lidhet me shumë faktor, nuk lidhet vetëm me faktorët ekonomik, lidhet me shërbimet shëndetësore, me arsimin e shumë tjera”.
Bega gjithashtu tha se masat që janë duke u marrë viteve të fundit nuk janë të duhura për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, raporton EO.
“Qeveria në këtë rast duhet të jetë shumë aktive në prezantimin e projekteve zhvillimore në të gjitha fushat projekte të cilat do të mund të ndikonin pozitivisht në uljen e trendëve të migrimit, mirëpo migrimi nuk është vetëm trend i Kosovës, është i të gjithave të rajonit, ka qenë historikisht pjesë e zhvillimeve globale, prandaj çka mund të bëjë shteti është të ndërmarr masa, projekte investive të cilat premtojnë një zhvillim, të cilat rrisin shpresën dhe i bën qytetarët të kenë siguri juridike, përqendruar këtu, sepse masat të cilat janë duke u marrë viteve të fundit, nuk janë një indikator i mirë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për të ardhmen”.