Mijëra vizitorë në Prekaz për 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Prekaz | 06 Mar 2023 | 16:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mijëra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare po vizitojnë Prekazin, me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari. Ata theksuan se Prekazi është vend frymëzues dhe se kontributi i familjes Jashari nuk mund të shprehet me fjalë, raporton Ekonomia Online.

Kompleksin Memorial, të hënën, po e vizitonin dhe shumë nxënës, të organizuar nga shkollat, me ç’rast u njoftuan për luftën që ka bërë familja Jashari për lirinë e Kosovës.

Drejtori i Gjimnazit “Hamëz Jashari” në Skenderaj, tha se falë gjakut të kësaj familje, sot jetojnë të lirë. Ai ka treguar edhe momentet se ku kanë qenë në atë kohë.

“Ne kemi qenë këtu afër gjashtë kilometra jashtë kompleksit memorial ‘Adem Jashari’. Me të vërtetë ka qenë një ngjarje e cila i ka dhënë jehonë gjitha trevave shqiptare por edhe mbarë botës. Një luftë e paparë ku një shtet i tërë lufton me të gjitha artileritë e rënda që i ka, kundër një familje e që këta ishin të vendosur. Falë gjakut dhe heroizmit të familjes Jashari, ne sot jemi të lirë”, tha ai.

E ish-bashkëluftetari i Adem Jasharit, Enver Dajaku, tregon për kohën kur kjo familje ka qenë e rrethuar. Ai thotë se e kanë pasur të pamundur t’i ofrohen kësaj familje.

“Kam qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para që ka filluar lufta, kam qenë krah i Adem Jasharit dhe do të jem krah i luftës deri në vdekje. Këto data kanë qenë shumë të vështira. Në atë moment kur është rrethuar familja Jashari, nuk kem pas mundësi me u ofru shumë por kemi insistuar që t’i dalim në ndihmë por forcat serbe dihet se çfarë force ka qenë dhe u flijua e gjithë familja”, u shpreh ai.

E Avdullah Veseli, një tjetër ish-luftëtar i UÇK-së, ka kërkuar që historia e familjes Jashari të mësohet nëpër shkolla.

“Kur e kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin në një formë na ngjallet edhe njëherë shpirti jonë, gjaku jonë e i dëshmorëve. Falë Zotit, rinia po shtohet, dashtë Zoti kjo histori lexohet nëpër shkolla dhe e mësojnë nxënësit këtë histori të Adem Jasharit”, tha ai.

“Epopeja e UÇK-së” shënohet çdo vit, më 5, 6 dhe 7 mars, për të nderuar komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij, të cilët luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Të ngjashme