Mikullovci-Thaçit: Zgjohu burrë se na more në qafë

Prishtinë | 22 Sht 2018 | 12:39 | Nga

Deputeti më i vjetër i legjislaturës së gjashtë, Adem Mikullovci nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë thirrje që sa më shumë të mblidhen në protestën e 29 shtatorit, në këtë mënyrë, t’i jepet fund pazareve, siç thotë ai, mes Thaçit e Vuçiqit.

Por këtë thirrje, e ka bërë me një mesazh të veçantë.

“Mbrëmë, e pash një ëndërr të çuditshme. I hyra në zyre Presidentit, e kapa për jakë dhe i bërtita: “Zgjohu burrë! Zgjohu! Zgjohu se na more në qafë. Zgjohu dhe shikoje fukarallëkun që e ka kapluar Kosovën. Shikoje rininë ka bredh rrugëve të papunë me duar në xhepa. Këtë situatë e ke pru ti, me politikat e tua të mbrapshta. Zgjohu!”, nis mesazhin e tij Mikullovci përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të Vetëvendosjes.

Tutje, Mikullovci thotë se Thaçi nuk u zgjua.

“Ai nuk u zgjua, por u zgjova unë. U zgjova i frikësuar, i djersitur por besa edhe i vendosur. Jeta është e ëmbël, e bukur por diku n’gjeti se neve të shkretëve kurrë nuk na u hoq gazepi”, thotë ai.

Më pas fton për protestën e së shtunës tjetër që i bie më 29 shtator.

“Ju ftoj që i madh e i vogël me 29 shtator, ora 14:00, të dalim të gjithë, ama të gjithë në sheshin e Prishtinës dhe t’i themi njëherë e përgjithmonë edhe Hashimit tonë edhe Vuçiqit të Serbisë mjaft më! Kosova nuk bënë pazarllëqe me tokat e veta! Kosova është gjaku im që nuk falet!”, përfundon Mikullovci.

Njëjtë, edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dje përmes një mesazhi bëri thirrje në mërgatë që t’i bashkohet kësaj proteste.

“Sot kemi një problem edhe më të madh, ruajtjen e sovranitetit dhe pavarësisë, integritetit institucional e territorial të vendit tonë. Pazaret vetjake të Hashim Thaçit me Vuçiqin e Serbisë po sjellin rreziqe të mëdha”, tha Kurti ndër tjerash.

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/483482642129403/

Të ngjashme