Milani “gjysmak” përballë Fiorentinës

Prishtinë | 22 Dhj 2018 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Kampionati italian do të vijë sot me të gjitha sfidat e vlefshme për javën e 17 të tij, teksa gjithçka do të startojë me Lazio-Cagliari në orën 12:30, për t’u mbyllur në mbrëmje me kryesfidën Juventus-Roma.

Në “Olimpico”, bardhekaltrit e Simone Inzaghit vijnë pas 5 javësh pa fitore, ku kanë regjistruar 4 barazime dhe një humbje, ndaj sot ndaj sardëve do të luajnë me misionin e vetëm, marrjen e 3 pikëve.

Në orën 15:00, vëmendja do të jetë e përqendruar në “San Siro”, ku Milani do të presë Fiorentinën, një sfidë mjaft interesante mes dy skuadrave që synojnë pjesëmarrjen në kupat e Europës.

Gattuso do të duhet të bëjë llogaritë me një organikë të cunguar veçanërisht në mesin e fushës, ku pezullimet e Kessie dhe Bakayoko iu shtuan dëmtimeve të Biglias e Bonaventurës, dukë bërë që të ndizet “alarmi i kuq”.

Po në orën 15:00, në Supersport do të vijnë edhe sfida të tjera interesante, si ajo mes Napolit e Spalit, por edhe përballja mes Genoas e Atalantës, përkatësisht në Supersport 4 & 5.

Në orën 18:00 do të vijnë dy sfida të tjera, përballja e “Bentegodit” mes Chievos dhe Interit, por edhe takimi mes Parmës dhe Bolognas në stadiumin “Tardini” të emilianëve.

Pasi u eliminuan nga Liga e Kampionëve, zikaltrit e Spallettit tashmë janë të përqendruar vetëm në kampionat, ku do të kërkojnë të bëjnë sa më mirë dhe të blindojnë sa më shpejt pozitat në zonën Champions të renditjes.

“Qershia mbi tortë” për javën e 17 do të vijë në mbrëmje, ku në stadiumin “Allianz Stadium” të Torinos, Juventusi do të presë Romën, në një sfidë që premton spektakël dhe rivalitet.

Bardhezinjtë kanë dëshmuar se janë një makineri perfekte në kampionat, në këtë gjysmë të parë të sezonit, pasi në 16 takime kanë fituar 145 dhe kanë barazuar një, duke mos e njohur ende shijen e humbjes.

Nga ana tjetër Roma vjen pas një momenti aspak të mirë dhe ka nevojë për pikë, për të mos humbur pretendimet për një vend në zonën Champions të vitit të ardhshëm.

Verdhekuqtë do të kërkojnë të ndalin Juventusin për të marrë një 3-pikësh shprese në synimet e tyre, por edhe për t’i bërë një nder kampionatit, që duket gjithnjë e më shumë nën dominimin bardhezi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme