Miliarda për bizneset

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 13:42 | Nga

Shuma e përgjithshme e kredive bankare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë ka arritur në rreth 1.6 miliard euro. Rritja e kreditimit për bizneset është përcjellë me ulje drastike të kamatave. Kjo qasje e bankave komerciale po e zvogëlon informalitetin, si dhe po e rrit punësimin në vend.

Bankat komerciale në Kosovë kanë dyfishuar kreditimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) gjatë vitit të fundit, në krahasim me vitet paraprake.

Kreditë për bizneset gjatë vitit të kaluar janë rritur për 11 për qind, derisa gjatë vitit 2015 një rritje e tillë nuk ishte më e lartë se 6.2 për qind.

Nga rreth 2.5 miliardë sa është shuma e përgjithshme e kredive të aprovuara nga sektori bankar në vend, rreth 1.6 miliard euro janë kredi vetëm për bizneset. Rritja e kreditimit për bizneset është përcjellë me ulje drastike të normave të interesit, ku kamatat mesatare për kreditë e bizneseve kanë qenë 6.44 për qind, derisa në vitin 2014 kamatat e tilla silleshin rreth 11 për qind.

Zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), si dhe ekspertët e ekonomisë, thonë se rritja e kreditimit për bizneset njëkohësisht zvogëlon edhe ekonominë informale, pasi që, sipas tyre, prania e informalitetit përbën faktor pengues për qasjen e NVM-ve në financa.

Ndërsa drejtues të Shoqatës së Bankave të Kosovës thonë se rritja e kreditimit për bizneset, përpos ngritjes së rentabilitetit për këto të fundit, ka ndikim edhe në rritjen e punësimit në sektorin privat.

Rritje e madhe e kreditimit

Fehmi Mehmeti, guvernator i BQK-së, sqaron se gjatë vitit 2015 kreditimi për bizneset kishte shënuar rritje vjetore prej 6.2 për qind, 8.5 për qind ishte rritur gjatë vitit 2016, përderisa një rritje e tillë gjatë vitit të kaluar ka arritur në 11 për qind.

“Kreditë për bizneset kanë arritur në rreth 1.58 miliard euro. Vetëm gjatë tre vjetëve të fundit kreditë ndaj korporatave jofinanciare janë rritur për rreth 345 milionë euro”, ka bërë të ditur Mehmeti.

I pari i BQK-së ka potencuar se 63.5 për qind e kredive të përgjithshme nga sektori bankar kanë shkuar vetëm për bizneset, pjesëmarrje kjo, siç thotë ai, stabile që nga viti 2014.

Petrit Balija, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Bankave të Kosovës, thotë se bankat shërbejnë si katalizator në ekonomi përmes kreditimit të bizneseve, të cilat synojnë rritjen e aktiviteteve të tyre afariste. Një kreditim i tillë, sipas Balisë, ka efekte pozitive në rritje e punësimit në vend.

“Përveç ngritjes së rentabilitetit të bizneseve, kjo rezulton edhe me rritjen e punësimit në sektorin privat”, ka shtuar Balija.

Numri një i Shoqatës së Bankave të Kosovës sqaron se bankat komerciale në vend synim parësor kanë kreditimin më të madh të bizneseve në raport me kreditimin e ekonomive familjare.

“Ky raport është arritur në portofolin bankar të kredive në Kosovë pasi që mbi 63% nga gjithsej kreditë janë të destinuara për bizneset”, ka pohuar Balija.

Rënie e kamatave

Rritja e kreditimit për bizneset nuk është përcjellë me rritje të kamatave, por përkundrazi. Sipas BQK-së, normat mesatare të interesit në kreditë për bizneset gjatë vitit 2017 ishin 6,44 për qind, ku në krahasim me vitet paraprake kanë shënuar rënie të vazhdueshme.

“Norma mesatare e interesit në kredi për korporatat financiare gjatë vitit të kaluar ka qenë 6,44 për qind, derisa normat e tilla në vitin 2014 shënonin nivelin dyshifror, përkatësisht 10.63 për qind”, ka bërë të ditur guvernatori i BQK-së, duke shtuar se sektori bankar vazhdimisht ka përkrahur bizneset në Kosovë, me ç’rast, siç thotë ai, norma efektive e interesit në kredi për biznese gjithmonë ka qenë më e ulët se norma e përgjithshme e kredive.

Numri një i BQK-së paralajmëron rritje më të madhe të kreditimit për bizneset gjatë këtij viti.

“Duke u bazuar në projeksionet financiare për vitin 2018, parashihet një rritje po aq e fuqishme e kredive për bizneset, e cila do të arrijë në 15 për qind”, ka nënvizuar Mehmeti.

Përmirësimi i disa faktorëve

Kreu i Shoqatës së Bankave të Kosovës shpjegon se rënia e normave të interesit në kreditë për bizneset vjen si rezultat i përmirësimit të disa faktorëve.

“Rënia e normave të interesit në kreditë për bizneset vjen si rezultat i përmirësimit të disa faktorëve për të cilët Shoqata e Bankave është angazhuar në vazhdimësi, duke përfshirë këtu rritjen e konkurrencës, rritjen e angazhimeve të gjyqësorit përmes përmbaruesve privatë, rritjen e efikasitetit nga ana e bankave të Kosovës, si dhe angazhimet e mbikëqyrjes dhe avancimi i operacioneve nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës”, ka potencuar Balija.

Kreditë e reja bankare u rritën rreth 35 për qind

Zyrtarë të BQK-së thonë se kreditë e reja bankare gjatë vitit të kaluar janë rritur dukshëm, përkatësisht 34.7 për qind. Sipas anketës së kreditimit bankar, pritjet e bankave për periudhën shtator 2017-shkurt 2018 sugjeronin që standardet e kreditimit do të lehtësoheshin më së shumti për NVM-të, duke u pasuar nga kreditë konsumuese për ekonomitë familjare. Është vlerësuar se pengesat kryesore për qasjen në financa të NVM-ve janë faktor shumë i rëndësishëm që pengon rritjen e këtyre ndërmarrjeve, të cilat janë burim shumë i rëndësishëm i punësimit në Kosovë, andaj rritja e qasjes në financa dhe kreditimit për këtë sektor të pasohet me efekte pozitive direkte dhe indirekte në ekonomi dhe në punësim.

Qasja në shërbimet financiare, në veçanti qasja në kredi, ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm në Kosovë, e cila potencohet edhe në Raportin e të bërit biznes të Bankës Botërore për vitin 2018.

Përmirësimi i infrastrukturës financiare, Regjistri i Kredive të Kosovës dhe krijimi i instrumenteve mbështetëse për rritjen e qasjes në kredi, siç është Fondi për Garanci Kreditore, kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e qasjes në financa, në veçanti për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Zvogëlimi i ekonomisë informale

Rritja e kreditimit për bizneset njëkohësisht do ta zvogëlojë edhe ekonominë informale në Kosovë, e cila vlerësohet se është shumë e lartë.

“Prania e informalitetit përbën faktor pengues për qasjen e NVM-ve në financa. Në këtë kontekst gatishmëria e bankave për të rritur kreditimin për NVM-të mund t’i rrisë presionet e këtyre të fundit për formalizim të aktivitetit në mënyrë që të sigurojnë qasje më të lehtë në financa”, ka thënë guvernatori i BQK-së.

Edhe kreu i Shoqatës së Bankave pohon se sektori bankar në vazhdimësi ka promovuar formalizimin e bizneseve dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre.

“Kjo është bërë përmes rritjes së qasjes në financa dhe në shërbime bankare, por edhe me asistencë teknike dhe këshillime të klientëve. Këto angazhime kanë efekte shumë pozitive te këto biznese, të cilat tanimë kanë ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm me bankat e tyre respektove”, ka nënvizuar Balija.

Stimulimi shtetëror

Profesori i ekonomisë, Muhamet Sadiku, thotë se që nga viti 1999, por edhe aktualisht, kredia mbetet burim kryesor për financimin e ekonomisë në vendin tonë e sidomos në hapjen dhe në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Këto të fundit, sipas tij, janë faktorë kryesorë në rritjen ekonomike, por edhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

Profesor Sadiku thotë se zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do të jepte efekte edhe më të mëdha sikur, siç thotë ai, shteti t’i kishte stimuluar njëjtë siç i stimulon Sllovenia, Hungaria, Çekia, etj.

“Në këto shtete shteti ka ofruar lehtësia për banka në mënyrë që bankat të japin kredi më të favorshme për ndërmarrje të vogla e të mesme. Sikur të kishte ndodhur edhe kjo në vendin tonë natyrisht se sot situata do të ishte shumë më e mirë, pasi që për të hapur biznese të reja, për t’i modernizuar ato aktuale, në të shumtën e rasteve këto janë bërë me kredi përmes bankave komerciale që operojnë në vendin tonë. Kështu që për dy dekada bankat kanë ruajtur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e NVM-ve”, ka thënë ai.

Më tutje Sadiku tregon së në fillim normat e interesit për kredi në vendin tonë kanë qenë të larta, të cilat, sipas tij, kohë pas kohe kanë rënë dukshëm.

“Aktualisht normat e interesit në kredi që i aplikojnë bankat komerciale janë dukshëm më të lira, madje edhe nëse krahasohen me shtetet e rajonit”, ka potencuar Sadiku.

1.6 miliard euro për bizneset, 900 milionë euro për ekonomitë familjare

Ndërsa Ibish Mazreku, prorektor për marrëdhënie ndërkombëtare dhe ngritje të cilësisë në Universitetin Publik ‘Haxhi Zeka’ në Pejë, thotë se në bazë të të dhënave dhe trendëve sistemi bankar në Kosovë është duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në sigurimin e burimeve financiare për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që operojnë në vendin tonë.

Sipas tij, duke u bazuar në raporte zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, shihet se rritja e kreditimit për ndërmarrje për vitin e kaluar është 10.7 për qind, të krahasuara me vitin paraprak.

“Në bazë të të dhënave, kreditë familjare janë afër 900 milionë euro, ndërsa për ndërmarrje afër 1.6 miliard, me këtë tregon që përqindja më e madhe apo gati dyfishi shkon për kreditimin e ndërmarrjeve. Shfrytëzimi i kredive bankare si burim kryesor financimi të ndërmarrjeve”, ka thënë Mazreku.

Sipas tij, për t’i zhvilluar NVM-të shteti duhet të ndajë fonde të caktuara, të cilat më pastaj përmes bankave do të futen në funksion të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, kur dihet se në to punësohet një numër i madh i punëtorëve. /Infokusi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme