Rreth 1.7 milion euro është vlera e mjeteve financiare që Qeveria e Kosovës paguan në baza vjetore për shfrytëzimin me qira të 17 objekteve private, në të cilat këto institucione qeveritare e zhvillojnë veprimtarinë e tyre.
Këto të dhëna përfshijnë institucionet qendrore qeveritare që janë vendosur me qira në Prishtinë, por jo edhe ato në komunat tjera apo nivelin lokal të pushtetit.
Institucioni shtetëror që paguan çmimin më të lartë të qirasë është Administrata Tatimore e Kosovës me rreth 390 mijë euro në vit apo rreth 32 mijë euro në muaj, pasur nga Ministria e Financave, përkatësisht Dogana dhe Njësia për Inteligjencë Financiare, që paguajnë qira vjetore prej 347 mijë euro. Kurse shumën prej 175 mijë euro qira vjetore e paguan Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, 115 mijë Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ndërkaq 108 mijë euro për qira paguan Ministria e Integrimit. Janë edhe 12 institucione tjera që paguajnë më pak se 100 mijë euro qira vjetore.
Zeqir Bekolli, udhëheqës i Departamentit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Administratës Publike, thotë për Radion Evropa e Lirë se nevoja është e madhe që këto institucione të vendosen në objekte qeveritare pasi që kjo do të ishte një lehtësim edhe i aktiviteteve të tyre, e njëherësh sipas tij, ky proces është edhe prioritet i Qeverisë së Kosovës.
“Në momentet kur qeveria siguron hapësira zyrtare, sigurisht që këto institucione do të bartën në objektet shtetërore. Për këtë edhe Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Administratës Publike i ka prioritet. Mirëpo, tash për tash gjendja është kjo”, thotë Bekolli.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, shumën që paguhet për qira nga Qeveria e Kosovës e konsiderojnë të panevojshme dhe barrë për buxhetin.
Sipas tyre, vendosja e objekteve publike në hapësira private përbën një praktikë korruptive dhe ka për qëllim që t’u sigurojë përfitime grupeve të caktuara të interesit.