Një organizatë monitoruese e luftës në Siri ka thënë se një grup i të ashtuquajturit Shtet Islamik e ka kryer një sulm në pjesën qendrore të këtij shteti, duke lënë të vdekur dhjetëra ushtarë.
Grupi i Shtetit Islamik e humbi kontrollin ndaj territorit të fundit në Siri në muajin mars pas disa muajve të luftimeve me ushtrinë e mbështetur nga shtetet e Bashkuara në lindje të Sirisë. Sidoqoftë, militantët ende janë aktivë në rajonin shkretinor, ku vazhdimisht kanë kryer sulme ndaj trupave qeveritare.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi të shtunën se militantët e ISIS-it i sulmuan papritmas trupat qeveritare në shkretëtirën e provincës së Homsit, duke lënë të vrarë 27 ushtarë.
Liwa al-Quds, një grup që mbështet forcat qeveritare, tha se militantët e ISIS-it i sulmuan dy batalione të ushtrisë në këtë rajon. Përfaqësuesit e këtij grupi deklaruan se luftëtarët e tyre i çliruan këto dy batalione dhe i tërhoqën trupat nga fushëbeteja, por nuk publikuan ndonjë numër të viktimave, shkruan “Fox News”.