Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, në një konferencë për medie ka thënë se mashtrimi me listat e veteranëve është vepra penale që i ka shkaktuar dëm në vlerën më të madhe buxhetit të Kosovës që nga paslufta.
Millaku thotë se i ka sugjeruar Elez Blakajt, prokurorit tashmë të dorëhequr, t’i kërkojë gjykatës që t’u ngrihen të ardhurat veteranëve të jashtëligjshëm, raporton Ekonomia Online.
“Prokurori Elez Blakaj ka punuar së bashku me shtatë zyrtarë të cilët i kam caktu unë për finalizimin e aplikacionit se kush i plotëson kushtet për veteran, e kush jo”.
“Është bërë pune voluminoze që ka marrë kohë. Gjatë hetimeve kam pasur kontakt me prokurorin dhe e kam sugjeruar që kur te bëhet finalizimi i emrave të nxirren emrat mbiemrat e tyre, gjyqtarit t’i bëhet kërkese që t’u bëhet ngrirja e të ardhurave të tyre. Kjo është vepra penale që i ka shkaktuar dëm në vlerë më të madhe buxhetit të Kosovës që nga paslufta”, tha Millaku
Millaku theksoi se lëndën do ta marrë një prokuror tjetër, ndërsa u shpreh se të gjithë përfituesit jashtëligjshëm duhet të përfshihen në aktakuzë.
“Ceket vetëm numri 19 mijë e 60, duhet me qenë emrat në aktakuzë. Emrat janë të skanuar, 19 mijë.
Sipas tij, aktakuza ka pasur lëshime, [pasi që Blakaj është dashur të kërkojë nga gjykata që 19 mijë e 60 veteranëve të rrjeshëm t’ua pezullojë të ardhurat, sepse dëmtohet buxheti i shtetit.
“Dy ditë jose tri dite s’kam pasë mundësinë me pa aktakuzën, por kur e pashë, e pashë një lëshim, cek 19 mijë pjesëmarrës, pa cekur kush janë përfituesit. Te propozimi nuk e pashë që gjykata duhet me ua ndalu këtyre personave, me ua ndalu të ardhurat. Të nesërmen i thashë që kjo aktakuzë nuk shkon kështu”.
“Ai është pajtuar me këshillat e mia, aktakuzën që ma ka sjell në fillim është e panënshkruar. Aktakuzën e nënshkruar ma ka dërguar në email, pasi ka shkuar. Dispozita duhet me qenë e qartë, kush janë 19 mijë vetë”, tha Millaku.
Millaku, më tutje, ka thënë se nuk kanë dashur ta amnistojnë askënd.
“Nuk është e vërtetë që kemi dashur të amnistojmë dikë apo me ndihmu dikë, në çfarëdo forme. I tregova për të metat e aktakuzës….”, pohoi Millaku , raporton Ekonomia Online.