Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë, në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për thellim të bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe në kuadër të shënimit të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe vitit jubilar të Skënderbeut, dy data të rëndësishme në historinë e vendeve tona, mbajtën sot një takim të përbashkët në Prizren.
Ministri i Arsimit i Kosovës, Shyqyri Bytyqi dhe ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla fillimisht mbajtën takim me drejtuesit e Institutit të Albanologjisë të Kosovës dhe atij të Shqipërisë dhe të Instituteve të Historisë, me qëllim të harmonizimit dhe bashkëpunimit të këtyre institucioneve të rëndësishme.
Ministri Bytyqi me këtë rast shprehu mirënjohjen e thellë për punën dhe veprimtarinë e instituteve të albanologjisë dhe historisë dhe u zotua se do të mbështesë çfarëdo vendimi që del nga takimi i drejtuesve të këtyre instituteve.
Ministri Bytyqi tha se është angazhim i përbashkët i dy ministrive që të gjejmë forma të thellimit të bashkëpunimit të instituteve, në mënyrë që të kemi një kalendar të përbashkët të punës dhe veprimtarive të tyre.
Ndërsa, në takimin që mbajtën të dy ministrat me rektorët e universiteteve publike të Kosovës dhe Shqipërisë, u diskutua për mobilitetin e profesorëve për programe të rëndësishme, por që janë në rrezik të mbyllen në mungesë të kuadrove, si dhe për mundësinë e rritjes së kuadrove për studentët kosovarë dhe anasjelltas për pranim në programe të avancuara.
Ministri Bytyqi tha se me ministren Nikolla po vazhdojnë takimet për thellimin e bashkëpunimit për harmonizimin e punëve të institucioneve të arsimit të lartë.
“Universitetet tona kanë pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm qoftë në mobilitetin e studentëve, qoftë profesorëve, por këtu bashkë me ministren Nikolla jemi që edhe si qeveri të ju mbështesim dhe të qojmë më tutje këtë bashkëpunim. Nga ky takim do të dalin diskutime të rëndësishme dhe hapa konkretë, për tri temat e rëndësishme për të cilat me ministren jemi dakorduar në Tiranë”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ministri Bytyqi theksoi se, duke parë situatën ekzistuese në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tiranës, sa i përket rrezikshmërisë së mbylljes së disa programeve në mungesë të kuadrove, është menduar që të merren obligime në hartimin e politikave në realizmin e këtij mobiliteti, në mënyrë që këta profesorë të njihen si profesorë të rrëgullt.
Ndërsa, ministrja Nikolla tha se ekziston vullneti maksimal i të dy qeverive për të mbështetur bashkëpunimin në arsimin e lartë dhe për të adresuar një agjendë të përbashkët veprimi. Në këtë takim gjithashtu u fol edhe për organizimin e një kampusi veror tradicional për studentët e të gjitha viseve shqiptare.
Në fund, ministri Bytyqi dhe ministrja Nikolla në konferencën e mbajtur me gazetarë thanë se, unifikimi i programeve parauniversitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë po vijonë edhe me harmonizimin e çështjeve të arsimit të lartë dhe punën e instituteve.
Ata theksuan se, të dy qeveritë janë të gatshme për të qenë një krahë i fortë mbështetës për universitetet dhe së bashku të adresojnë standarde të larta profesionale në arsimin e lartë, për të qenë pjesë dinjotoze në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.