Ekonomia kreative, si koncept relativisht i ri në tregjet globale, gradualisht po transformohet në një ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë dhe ndikimin më të madh në zhvillimin e gjithmbarshëm të qendrave botërore të kulturës. Kështu u tha në panelin diskutues të ministrave me temën “Ekonomia kreative në perspektivë”, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se ekonomia kreative në fokus ka krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike përmes rrjetëzimit të industrive që kontribuojnë drejtpërdrejt në të. Sipas ministrave të linjës, Qeveria e Kosovës po fillon hartimin e strategjisë të ekonomisë kreative me qëllim të përafrimit të orientimeve strategjike të vendit me politikat e Bashkimit Evropian dhe trendet zhvillimore në nivel ndërkombëtar.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se ekonomia kreative kontribuon në rritjen ekonomike por edhe në promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, teksa shtoi se industria kreative në Kosovë është shumë dimensionale falë rinisë që po kontribuon në këtë. Ajo tha se ky sektor i ekonomisë kontribuon në rritjen ekonomike dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e kulturës.
“Ne me ministritë tjera, jemi duke bashkëpunuar së bashku për t’i zbërthyer dhe shpalosur këto potenciale dhe janë shumë aktivitete dimensionale që janë duke u angazhuar rinia jonë në ekonominë kreative. Vlen të përmendet së pari, dizajni, arkitektura, media digjitale dhe më shumë, por edhe dizajnin grafik, pastaj ky sektor i ekonomisë kreative kontribuon në rritjen ekonomike por edhe në promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çka mund të përmendi te industria që është iniciativa për dizajn, që është dizajni grafik, dizajnin e produkteve inovative që ndërthurin estetiken tradicionale dhe bashkëkohore që është një potencial i madh i kreativitetit në ekonominë tonë”, u shpreh Hajdari.
Ajo theksoi se Kosova është lidere në Ballkanin Perëndimor për industrinë kreative, derisa çka shtoi se klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, tha se ky proces mundëson formësimin e vizionit të përbashkët të mozaikut të larmishëm të akterëve kyç për ekonominë kreative dhe dizajnimin e veprimeve për transformimin e Kosovës në qendër rajonale të inovacionit në prodhimin kulturor.
“Potencialin e ekonomisë kreative e shoh në dy rrafshe: i pari ka të bëjë me rezultatet që vijnë për shumë vite nga arena ndërkombëtare për artistët dhe organizatën kulturore dhe institucionet kulturore të Kosovës. Para pak kohësh kishim çmimin e parë në Zamora të Spanjës nga Ansambli Shota e shumë çmime tjera të institucioneve dhe artistëve. Pra, kemi cilësi dhe tashmë nuk janë vetëm suksese vendore por edhe ndërkombëtare të dëshmuara për disa vite radhazi, dhe e dyta ka të bëjë me aspektin ekonomik. Studimi për ndikimin socio-ekonomik të Manifestës, e ka dëshmuar këtë raportin e investimit në kulturë që është 1 me 4. Çdo një euro që është investuar për Manifestën, ajo ka gjeneruar të paktën katër euro shtesë si vlerë e shtuar për ekonominë vendëse. Edhe Dokufesti i ka disa studime të tilla. Prej tyre, në vitin 2023 nga të dhënat e ATK-së, bizneseve iu është ngritur për 30 për qind të hyrat gjatë ditëve sa mbahej festivali atje, por edhe një rritje në eksportin në fushën e modës”, u shpreh Çeku.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se procesi i hartimit të strategjisë ofron platformë të ndërveprimit të institucioneve qendrore, institucioneve lokale, pionierëve dhe ekspertëve të fushës nga Evropa dhe Britania e Madhe, shoqërisë civile, krijuesve kreativë dhe kontribuesve të tjerë relevantë.
Ajo tha se nxënësit dhe studentët janë më kreativ sesa vetë politikat e qeverisë.
Në kuadër të këtij paneli, Nagavci tha se kanë përpiluar programe të ndryshme me partnerët dhe organizatat e shoqërisë civile që të fillojnë shkathtësitë e buta që nga mosha e hershme në nivelin parauniversitar. Nagavci tha se janë punësuar këshilltarë për karrierë nëpër shkolla për nxënësit nga klasa e 6 deri në klasën e 9.