Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka treguar për Albanian Post se marrëveshja që ka nënshkruar këtë të mërkurë me Kolegjin UBT, e për çka u kritikua shumë, do të nënshkruhet edhe me Universitetin e Prishtinës nesër, e enjte.
Madje, siç tregoi Aliu, plani ishte që nënshkrimi të bëhej një herë me UP-në e pastaj me UBT-në, por për shkaqe krejt teknike kjo nuk u realizua.
“Edhe me UP-në edhe me UBT-në, të dyja i kishim në plan t’i nënshkruajmë sot, por Rektori i UP-së nuk ka mundur sot, e ka shty për nesër. Kjo është e gjitha”, ka sqaruar Aliu për Albanian Post.
“Kanë pasur të nënshkruhen të dyja sot”, ka thënë ai, duke shtuar se “njëherë (kemi pasur të nënshkruajmë) me UP-në pastaj me UBT-në, por rektori i UP-së nuk mundi, edhe pse ka qenë e paracaktuar agjenda. Çka të bëjmë tash?”.
Marrëveshje e nënshkruar mes Aliut dhe Kolegjit “UBT” është kritikuar nga analistë politikë në Kosovë, të cilët e kanë parë si devijim i një qeverie të majtë, që në vend se të nënshkruajë marrëveshje me universitetin shtetëror e bën me një institucion privat.
Mmarrëveshja e nënshkruar përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore.
Ajo ka të bëjë me hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore.
Gjithashtu, do t’u ofrojë studentëve realizimin e praktikës profesionale.
Krejtësisht e njëjta, tash “do të nënshkruhet edhe me UP-në, qysh nesër”, pohoi Aliu për AP.
“Takimi ka qenë i caktuar shumë më herët, por dje është ri-organizuar edhe njëherë dhe kështu nënshkrimi i marrëveshjes me UP-në u shty për nesër në mëngjes”.