Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, priti sot në një takim drejtorin e Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall”, Keith W. Dayton.
Ministri Berisha, me këtë rast, ka falënderuar drejtorin e Qendrës Marshall z Dayton për vizitën dhe mbështetjen që i ka dhënë kjo qendër FSK-së për një kohë të gjatë, duke i trajnuar dhe përgatitur një numër të madh të pjesëtarëve të saj në Qendrën Marshall në Garmish të Gjermanisë.
Gjatë takimit, ministri Berisha dhe drejtori Dayton, biseduan për vazhdimin e bashkëpunimit në mes FSK-së dhe Qendrës Marshall.
Ministri Berisha po ashtu e njoftoi Dayton edhe me zhvillimet e përgjithshme të FSK-së, në veçanti ai foli për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rajonal, bashkëpunimin me NATO-n, Gardën Kombëtare të Ajovës, duke vlerësuar padyshim kontributin e ekspertëve amerikanë në këtë drejtim.
Nga ana e tij, drejtori i Qendrës Marshall, Keith Dayton, duke falënderuar ministrin Berisha për pritjen, shprehu edhe kënaqësinë e tij për arritjet e FSK-së. Ai njëherazi lavdëroi edhe pjesëtarët e FSK-së për sukseset e treguara gjatë shkollimit të tyre në Qendrën Marshall.
Gjithashtu, drejtori i Qendrës Marshall u zotua dhe premtoi se mbështetja për mekanizmat e sigurisë do të vazhdojë, dhe se bashkëpunimi me FSK-në do të thellohet edhe më tepër.