Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, gjatë vizitës në Qendrën e Komunitetit (jashtëshkollor) të implementuar nga “Bethany Christian Services” në Brekoc të Gjakovës, tha se qendrat e tilla janë të nevojshme, sepse ndihmojnë në trajtimin e barabartë të komuniteteve në Kosovë.
Sipas Bytyqit, qendrat e tilla janë të rëndësishme, sepse komunitetet kanë nevojë për stimulim shtesë për edukimin e fëmijëve të tyre, raporton Ekonomia Online.
“Shihet një qendër e cila po e bën një punë të madhe. Ne si ministri angazhohemi që çdo fëmijë të marrë arsimimin dhe trajtimin e barabartë. Qendra këtu është e rëndësishme, sepse komunitetet kanë nevojë për stimulim shtesë, në mënyrë që këta fëmijë të marrin edukatë dhe që të jenë qytetarë të përgjegjshëm për vendin tonë”.
Bytyqi bëri të ditur se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka arritur t’u sigurojë komuniteteve 400 bursa për shkollim të lartë, raporton EO.
“Qendrat e tilla kanë një peshë të veçantë dhe me angazhimin tonë komunitetet do të kenë trajtim të barabartë. Dua të falënderoj shtetin gjerman, të cilët janë bërë pjesë e ministrisë, në mënyrë që sistemi arsimor ta ketë një ngritje. MAShT ka arritur që një numër të madh të pjesës së komuniteteve t’u sigurohen bursa që të shkollohen ne arsimin e lartë, janë siguruar 400 bursa. Ne sapo e kemi bërë një kërkesë që të vazhdohet kjo përkrahje për komunitetet edhe për 3 vitet e ardhshme”.
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se komuna është e angazhuar të ofrojë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë edhe komunitetet, raporton EO.
“Është një ditë e mirë për ne, sepse kjo nuk është vetëm për komunitetet por për krejt Gjakovën. Nisma të tilla kanë me bë shoqërinë me kuptu që nëse një grup i njerëzve jeton keq, të gjithë jetojmë në mënyrë të tillë. Besoj që ka me ardhë një ditë kur s’kemi me bisedu për komunitete, sepse kemi me qenë gjithë një komunitet”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha shteti duhet t’i përkrahë të rinjtë nga grupet e margjinalizuara.
“PISA nuk është një kapitull i mirë, mirëpo ju siguroj që ishte njëjtë në Gjermani kur filluam me reformat në arsim. Kjo qendër është e dobishme për komunitetet egjiptian, rom, ashkali sepse investimi në rini është investimi më i mirë i një vendi. Njerëzit e rinj nga grupet e margjinalizuara të cilët janë të interesuar të mësojnë dhe të ushtrojnë aftësitë e tyre duhet të përkrahen në çdo shoqëri”.