Ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka tha se Kosova po zhvillon punime në çështjen e blerjes së dronëve “Bajraktar”.
Damka në një intervistë për Anadolu ka folur lidhur me qëndrimin e Kosovës për armatosje duke thënë se çdo blerje do të përdoret për mbrojtjen e vendit.
“Çdo blerje e armëve do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”.
“Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në axhendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita. Presidentja jonë dhe ministri i Mbrojtjes i kanë vizituar dronët ‘Bajraktar’ në vend. Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpinë, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, tha Damka.
Duke folur për tensionet në rritje në ditët e fundit në veri të Kosovës, Damka theksoi se kanë bërë atë që është e nevojshme që qytetarët në rajon të marrin shërbimet për jetën e përditshme.
“Gjatë kësaj kohe Serbia duhet të ulet në tryezën e dialogut dhe të arrihet një zgjidhje përfundimtare. Kosova nuk ka veprime që përshkallëzojnë tensionet. Po ashtu nuk kemi as edhe ndonjë përpjekje për heqjen e barrikadave. Mund ta bëjmë por përpjekje të tilla mund të rrisin edhe më tej tensionet. Për këtë arsye, për heqjen e tyre në mënyrë paqësore po veprojmë në bashkëpunim me Misionin NATO-s në Kosovë (KFOR), me NATO-n, BE-në dhe SHBA-në. Ne po përpiqemi për zgjidhjen e situatës atje me dakordim dhe jo ta përshkallëzojmë atë”, thekson Damka për AA.
Më tej ai tha se kërkesa e Serbisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili ka të drejta të ngjashme për autonomi në veri, si kusht për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes mes dy shteteve, është e papranueshme për Kosovën.
“Të gjitha shtetet janë në gatishmëri për të parandaluar një konflikt të mundshëm në Ballkan, kryesisht mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë çështje është e shqetësuar edhe Republika e Turqisë e cila ka dominim në Ballkan. Ka një dialog që zhvillohet nga Ministria e Jashtme, e cila vëzhgon ngjarjet në çdo kohë dhe është në dialog si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Turqia jep kontributin e nevojshëm në këtë drejtim. Nën strukturën e KFOR-it janë edhe ushtarët e Turqisë.. Mund të shohim që edhe ambasada dhe institucionet tjera po bëjnë përpjekje për ndërtimin e paqes në veri”, tha Damka.