Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka demantuar lajmin e djeshëm që ka qarkulluar nëpër medie, se ai ka refuzuar pagën me rritje, të vendosur nga kryeministri Ramush Haradinaj.
Në demantin e kësaj ministrie thuhet:
Më 30 qershor 2018, ditë e shtunë, gazeta Express, ka publikuar një lajm të pavërtetë sa i përket zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar nga ministri i FSK-së zotëri Rrustem Berisha. Lajmi i gazetës Express thotë: “Pagën me rritje ka refuzuar edhe Ministri i AAK’së, Rrustem Berisha. Këta ministra nuk i kanë dërguar listat e pagave, në Ministrinë e Administratës Publike, me rritje qysh ka vendosur Shefi i Qeverisë. Në këtë mënyrë del se kundër vendimit të Haradinajt është të paktën edhe një zyrtar i lartë i AAK’së, për arsye ende të panjohura”, thuhet në reagimin e tyre.
Që në fjalinë e parë të gazetës Express, është dhënë një lajm i pavërtetë, që na bënë të përfundojmë se shkrimi ka qenë jo profesional, sepse nuk ka cituar palën e apostrofuar (ministrin Rrustem Berisha) dhe nuk ka bërë verifikimin e informatës së paku edhe nga një burim tjetër.
Ky lajm është ritransmetuar edhe nga mediumet dhe portalet tjera, prandaj e shohim më se të domosdoshme që për hir të informimit korrekt dhe objektiv të qytetarëve dhe mediave, të informojmë se: ministri i FSK-së zoti Rrustem Berisha nuk e ka refuzuar vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave.
E vërteta është se nga MFSK-ja, departamenti përkatës, nuk është kryer procedimi për rritjen e pagave për muajin qershor, sipas vendimit të Qeverisë Nr 4/20 dat 20.12.2017, për shkak se procedimi i pagave në MAP dhe MF për MFSK-në është bërë më 8.06.2018, kurse vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dalë më datë 11.06.2018. Arsye tjetër e mosprocedimit ka qenë edhe moskomunikimi zyrtar dhe administrativ përmes shkresave zyrtare në mes MAP-it, MF-së dhe ministrive përkatëse. Kjo procedurë e ngritjes së pagave do të kryhet me efekt retroaktiv sipas datave dhe afateve që parasheh vendimi i Qeverisë.