Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, në komisionin për Buxhet dhe Financa ka folur për shpëtimin e 6 milionë eurove në blerjen e barnave më lirë sesa vitin e kaluar.
Në pyetjen e ngritur nga deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, se si janë shpëtuar këto para dhe ku e ka vlerësuar ai se ka pasur korrupsion, Ismaili tha se kjo ka ndodhur dhe tani është ndalur, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për këtë çështje, ministri Ismaili tha se korrupsioni në blerjen e barnave viteve të kaluara e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me miliona euro.
Madje, i kërkoi Hotit që të mos e arsyetojnë korrupsionin që ka ndodhur në blerjen e barnave dhe të distancohen prej tij.
“Mos e arsyetoni korrupsionin. Nuk ju bën nderë. Sa më herët distancoheni prej tij më mire”, tha ministri Ismaili.
Më tej, ai shtoi se me ndaljen e korrupsionit, Kosova nuk do të blej barna më shtrenjtë sesa vendet e rajonit.
“Unë kam ngritur një problem nacional dhe është mirë që të gjithë ta mbështesin pa dallime partiake. Kosova nuk do të blejë më barna më shtrenjtë sesa vendet e rajonit. Nuk mundet askush që neve të shes një bari për 25 euro, e Shqipërisë apo Maqedonisë me 2 euro. Ne nuk e pranojmë këtë. Qytetarët tanë nuk e pranojnë këtë”, ka thënë ai.
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, tha se MSH-ja gjatë mandatit të tij si ministër e ka marrë shumë seriozisht çështjen e revitimit të barnave, këtu përfshihet edhe sistemi i vlerave financiare.
“Për ne ka qenë një ndihmesë e madhe ta kuptojmë situatën ta dimë se ku duhet të nisim disa reforma kur për shkak të mungesës së reformave ka prodhuar efekte të caktuara në gjithë sistemin. Si p.sh revitimi i listës esenciale. Them me optimizën se kemi marrë një punë shumë seriozisht në adresimin e këtyre çështjeve dhe jo vetëm këtyre por që ta rregullojmë njëherë një sistem i cili ka vlerë të madhe financiare por edhe vlerë emocionale sepse sistemim shëndetësor e prekin pacientët dhe qytetarët dhe kjo nuk mbetet vetëm në administratë të MSH-së”, tha ai, raporton EO.
Dukagjin Gorani, anëtarë i komisionit tha se pas lufte e këtej në sistemin shëndetësor ka pas një kauzë të madhe menaxhuese.
“Duhet të konkludohet një vazhdë e menaxhimit të këtij sistemi pas lufte e këtej dhe të gjitha qeveritë në mënyrë të veçanta në Ministritë e shëndetësisë ka pas një kauzë menaxhuese. Ashtu siç ne e kemi përcjellë duket se kjo ka qenë e vërtetë dhe po vazhdon një trend i tillë edhe sot.”
Gorani pati një kritikë për ministrin Ismaili.
“Ministrin që e kemi këtu nuk ka arrit të i kaloj disa nga barrierat e këtij menaxhimi, i cili edhe tash e intensifikon një rrugëtim cili është negativ dhe i shënjuar si trend jo i favorshëm”, tha ai.
Ministri Ismaili, tha se tani më në QKUK po ndërtohen 50 barnatore brenda saj të cilat do të jenë të pajisura më të gjitha mjetet teknike
“Në sistemin e pranimit të barnave, ne kemi pas një platformë SMSF e cila është platformë elektronike por që nuk ka pas vullnet me u shtri me u zhvillu edhe për tu përdorur në mënyrë që të dihet se ky bari deri ku ka shku. Tani duke folur ne janë diku 50 barnatore të vogla që po ndërtohen vetëm në QKUK ku do të vendoset kontrolli, qasje e kufizuar, kamera, raftet, sot për sot mënyra se si shpërndahen barnat nuk na bën asnjë prej neve këtë të ndihemi rehat se çfarë sistemi kemi”, tha ai.
Duke folur për aferat korruptive të cilat sipas Ministrit Ismaili kanë ndodhur në legjislaturën e kaluar të Ministrisë së Shëndetësisë, kryesuesi i komisionit Driton Selmanaj, kërkoi nga ministri Ismaili që të i përend emrat se kush kanë qenë të përfshirë në këtë aferë korruptive.
“Ne si Kosovë kemi qenë të informuar për krimet që po bëhen në fushën e farmaceutikës, blerje shitblerje, krejt për çështje të fitimit. Nuk është puna e juaj të thoni që këtu ka aferë korruptive e kur po fillojmë ne të iu pyesim se kush janë ata ju po thoni unë nuk mundem të i them. D.m.th kur nuk e din këtë gjë pse po futesh këtu”, tha Selmanaj.
E Ismaili iu përgjigj Selmanajt.
“Mendoj që blerja e barnave e tejkalon partinë, nuk kisha fol unë për një çështje që është kaq e ndishme. Pse e kom ngritë arsyen e barnave është sepse është një interes nacional. Është mirë që në të gjithë të vetëdijesohemi që nesër mos të vijë situata të themi jo ka qenë kështu. Më mirë është e imja që kjo çështje të ngrihet në nivel të lartë, le të merret prokuroria mirë po le të dinë edhe kompanitë që kjo situatë ka filluar të adresohet”, tha Ismaili.