Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka qenë një ndër folësit kryesorë në Forumin Global për Inovacione në Bujqësi, që po mbahet në Abu Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Në këtë forum po marrin pjesë përfaqësues të kompanive të mëdha botërore që merren me zhvillimin e bujqësisë, si dhe ministra e zyrtarë të lartë nga shtete të ndryshme.
Në fjalën e tij, Ministri Krasniqi prezantoi zhvillimet dhe sfidat e bujqësisë në Kosovë, duke i ndërlidhur ato me zhvillimet dhe sfidat edhe në nivelin global, duke konsideruar se e ardhmja do të jetë sfiduese për mbarë botën në sferën e sigurimit të ushqimit, për faktin se popullsia do të rritet dhe sektori i bujqësisë do të ballafaqohet me presione direkte nga rritja e urbanizimit dhe ndryshimet klimatike.
Sipas FAO-s, ne vitin 2050 botës i duhet të prodhojë 1 miliardë tonë më shumë drithëra dhe 200 milionë tonë më shumë mish, që paraqesin vetëm disa nga sifdat e mëdha për të siguruar ushqim të mjaftueshëm për njerëzimin.
“Sfida e përbashkët për të ushqyer botën në të ardhmen nuk mund të tejkalohet vetëm nga qeveritë apo vetëm nga sektori privat. Duhet të jetë një përkushtim dhe përpjekje e përbashkët e të gjithëve”, deklaroi ministrri Krasniqi.
Ministri Krasniqi shtoi se vendet e vogla nuk mund të ndikojnë shumë në zhvillimet e mëdha që ndërlidhen me inovacionin dhe teknologjinë në bujqësi, por shtoi se secili duhet ta ketë rolin e vet, përfshirë edhe vendet e vogla.
“Për shkak të shumë prioriteteve konkurruese, shtetet si Kosova nuk kanë mundësi që të investojnë fonde të mjaftueshme në hulumtim dhe zhvillim, edhe nëse kjo paraqet kthimin më të mirë të investimit në planin afatgjatë. Andaj, shumica e vendeve varen nga zgjidhjet e krijuara nga institucionet apo kompanitë e vendeve që kanë mundësi reale për të mbështetur inovacionin në bujqësi.”
Ne kuadër të vizitës së tij, Ministri Krasniqi ka takuar edhe përfaqësues të kompanive te ndryshme botërore, prezentë në Forum. Me interes të veçantë, ai zhvilloi një takim me z. Kristian Moeller, kryeshef ekzekutiv i Global G.A.P., organizatës krijuese dhe pronare të njërit prej standardeve ndërkombëtare me te rëndësishme ne sektorin e bujqësisë.
Gjatë takimit, ministri Krasniqi dhe z. Moeller u pajtuan që të konkretizohet bashkëpunimi me MBPZHR-ne, në mënyrë që fermerët e Kosovës të kenë qasje më të lehtë në proceset e certifikimit me standardin Global G.A.P., që konsiderohet një nga dëshmitë më të respektuara për sa i përket sigurisë ushqimore dhe cilësisë.
Hapja e Forumit u bë nga Thani Al Zeyoudi, Ministër për Ndryshime Klimatike dhe Mjedis në Qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa bashkë me ministrin Krasniqi folës kryesor në ceremoninë e hapjes së Forumit ishte edhe Khadim Al Darei, Drejtor Menaxhues i Kompanisë Al Dahra.
Forumi Global për Inovacione në Bujqësi është eventi më i rëndësishëm global që trajton fushën e inovacioneve në sektorin bujqësor dhe ka dy edicione në vit, një për rajonin e Lindjes së Mesme dhe Azisë dhe një tjetër për Evropën.