Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj janë takuar me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura, me të cilin kanë diskutuar për situatën aktuale të vërshimeve.
“Sot situata është më e qetë dhe e menaxhueshme por dëmet janë të mëdha”, ka thënë Krasniqi në RTV Dukagjini.
Sipas tij më e mira në këtë situatë është që nuk ka të lënduar apo të vdekur.
Ministri Krasniqi ka shtuar se shumë komuna janë te përfshira nga vërshimet, por Skenderaj dhe Mitrovica janë më shumë të prekura.
“Fokusi jonë kryesor është që të jemi afër qytetarëve dhe t’i ndihmojmë me gjërat elementare. Nevojat janë në intervenim të shpejtë, kështu që niveli qendror me të gjitha strukturat e saj është në dispozicion të jetë afër qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Ministri Krasniqi ka shtuar se nuk posedon shifra se sa qytetarë kane pasur nevojë të evakohen.
“As në komuna nuk është e menaxhueshme shifra, për shkak se shumë qytetarë mund të largohen në mënyrë autonome”, ka theksuar ai.
Ministri i MAPL-së ka potencuar se janë në koordinim me të gjitha strukturat e vendit për t’i ndihmuar qytetarët e prekur nga vërshimet.