Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka takuar drejtuesit e organizatës joqeveritare Diakonie Kosova, Bernd Baumgarten, kryetar i Bordit dhe Nysret Krasniqin, menaxher i fermave të Diakonie.
Kjo organizatë zhvillon aktivitete të ndryshme që lidhen me kulturën, për të rinjtë, por tani edhe në bujqësi.
Ata tani kanë hapur një fermë me 1500 pula, një fermë të dhive dhe po zhvillojnë aktivitete të tjera në bletari. Në këto projekte ata kanë një numër prej 30 punëtorëve. Këto projekte i zhvillojnë në komunën e Mitrovicës.
Ministri Krasniqi i njoftoi ata me programet mbështetëse që MBPZHR po implementon dhe ndikimin që ato kanë dhënë në ekonomi dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ai theksoi se mbështetja do të rritet dhe zgjerohet vitin e ardhshëm, e po ashtu do të ketë nisma të ndryshme mbështetëse për fermerët përmes shërbimeve këshilluese por edhe komponentes së promovimit. Ministri Krasniqi përgëzoi drejtuesit e kësaj organizate për angazhimin e tyre edhe në sferën e bujqësisë me projekte mjaftë me ndikim në bujqësi, e po ashtu edhe në aspektin social, në veçanti edhe në përfshirjen në punë të një numri të konsiderueshëm njerëzve me aftësi të kufizuara.
Nga ana e tij, kryetari i Bordit të Diakonie Kosova, Bernd Baumgarten falënderoi ministrin për pritjen dhe mbështetjen që i ka dhënë kësaj qendre edhe në të kaluarën në aktivitete të tjera. Ai foli për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të fermave të tyre si dhe për planet që kanë për të ardhmen.
Ministri theksoi se do të shikohen mundësitë që në të ardhmen të ketë përkrahje edhe për organizatat joqeveritare të kësaj natyre, përmes programeve të rregullta mbështetëse të ministrisë.