Ministri Likaj vizitoi komunën e Fushë Kosovës, të Kaçanikut dhe atë të Hanit të Elezit

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 16:41 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka vizituar sot komunën e Fushë Kosovës, të Kaçanikut dhe atë të Hanit të Elezit, ku është takuar me kryetarët e këtyre komunave Burim Berisha, Besim Ilazi dhe Rufki Suma, si dhe me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit në këto komuna.

Në të tri takimet me krerët e komunave, është biseduar rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021 dhe për rolin e komunave në këtë drejtim.

Likaj ka folur për përgatitjet që janë bërë nga ana e MASh dhe komunave për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërsa përmendi faktin se në Udhëzuesin e përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021, në kushtet e pandemisë COVID 19, janë marrë parasysh vlerësimi i gjendjes dhe udhëzimet e UNESCO-s, UNICEF-it, Bankës Botërore, udhëzuesit e CDC-së, IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Po ashtu, me këtë rast janë marrë parasysh edhe praktikat e disa vendeve të BE-së.

Kurse, kryetarët e Fushë Kosovës, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit u zotuan se nga ana e tyre nuk do të mungojë bashkëpunimi me MASh dhe të gjitha institucionet tjera relevante, në mënyrë që të ketë një fillim të suksesshëm të vitit të ri shkollor dhe në cilindo variant të jetë prioritet ruajtja e shëndetit të nxënësve, mësimdhënësve dhe të gjithë akterëve të institucioneve edukativo-arsimore.

Të ngjashme