Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka të hënën mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, i cili po mbahet për herën e 14, ku udhëheqës shtetërorë nga rajoni dhe më gjerë dhe figura të rëndësishme nga fusha e politikes dhe biznesit debatojnë për çështje të rëndësisë globale. Sesioni i sivjetshëm u fokusua në bashkëpunimin rajonal si pjesë e integrimeve evropiane dhe zhvillimin e teknologjisë informative.
Ministri Lluka duke folur në panelin e diskutimit, theksoi se Qeveria e Kosovës
ka vendosur agjendën e ekonomisë digjitale në listën e prioriteteve kryesore
sepse beson se digjitalizimi siguron një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe se vetëm ekonomitë që bazohen në dije janë ekonomi që kanë performancë të suksesshme dhe sigurojnë krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë.
“Për mua personalisht dhe Ministrinë që drejtoj, është gjithmonë një nder dhe
obligim të mbështes iniciativa të tilla si kjo, sepse unë dua të sigurohem që ne po përçojmë një mesazh të qartë për të gjithë, se ne do të bëjmë më të mirën dhe do të sigurohemi që Transformimi Dixhital do të marrë mbështetjen tonë, organizatave jo-qeveritare dhe sektorit privat”, ka thënë Lluka.
Kreu i MZHE-së tha se kjo Ministri së bashku me ministritë e tjera dhe agjencitë që merren me sektorin, po përpiqen të integrojnë digjitalizimin me qëllim të zhvillimit të procesit të transformimit shoqëror në Kosovë. Në këtë linjë, Dokumentet strategjike si Agjenda Digjitale për Kosovën dhe Strategjia Kombëtare e TIK-ut krijojnë një mjedis më të favorshëm në mënyrë që i gjithë ekosistemi dhe energjia e sektorit privat, të gjejnë hapësirë të mjaftueshme për të vepruar dhe shprehur fuqinë e tyre transformuese që ekonomia dixhitale ofron.
Ministri tha se çdo ditë janë të përkushtuar për të eliminuar të gjitha barrierat fiskale që kanë të bëjnë me sektorin e TIK-ut; krijimin e infrastrukturës së duhur për zhvillimin e TIK-ut; fuqizimin e grave dhe rinisë në TIK; angazhimin e të gjithë donatorët potencialë; përmirësuar infrastrukturën për të siguruar mbulueshmëri me internet në tëre vendin; krijimin e qendrave inovative dhe parqeve të teknologjisë dhe dixhitalizuar ekonominë e Kosovës.
Lluka vuri në dukje se Kosova deri më tani ka tejkaluar të gjitha vendet në rajon dhe shumë tjera në BE kur është fjala për penetrimin e internetit, ngase vendi ka një penetrim prej 70% të internetit 4G përmes telefonave celularë.
Ministri Lluka tha se do të donte që përmes këtij forumi të përcjell një mesazh të qartë te tri palët kyçe;
1. Qeveritë Rajonale – për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve dhe organizatat joqeveritare! Le të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë. Mos kini frikë të udhëhiqni ndryshimin dhe ofroni asistencë kur kërkohet.
2. Donatorët, sidomos Komisioni Evropian – Të ketë besim te rajoni! Shpresat dhe vizionet tona janë të bëhemi pjesë e familjes së madhe Evropiane.
3. Shoqatat e TIK-ut dhe sektori privat – të hapen për partneritete mes veti në rajon! Partneritetet janë një mënyrë e sigurt për të pasur sukses.
Ndryshe, gjatë Forumit Ekonomik të Vjenës, Ministri Lluka ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të bizneseve dhe ambasadorë të rajonit të akredituar në Austri, të cilët i ka njoftuar me zhvillimet ekonomike në vend, e posaçërisht masat që ka ndërmarrë Qeveria për të përmirësuar klimën për investimet e jashtme.