Në vazhdën e vizitave të ambasadorëve të vendeve mike, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, priti sot në takim, ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Marie Christine Butel. Me këtë rast, ambasadorja Butel, uroi ministrin Mehaj, për detyrën duke njoftuar për interesimin e Francës për zhvillimet në FSK, dhe procesin e tranzicionit të saj. Ajo shprehu gatishmërinë e shtetit francez, që përmes ministrisë së saj të mbrojtjes dhe atasheve ushtarakë respektiv, ndërmjet dy vendeve të thellojnë kontaktet me diskutimin përmbajtjesor të temave me interes të përbashkët.
Nga ana e tij, ministri Mehaj falënderoi ambasadoren Butel, për vizitën e saj dhe shprehu falënderimin për Republikën e Francës, si vend mik, në mbështetjen e ofruar vendit tonë deri më tani në të gjitha fushat, duke theksuar rolin e saj në sigurinë e përgjithshme, në vitet e rindërtimit dhe zhvillimit të vendit me kontingjentin ushtarak të KFOR-it. Ministri Mehaj, theksoi shumë me rëndësi, përvojën e madhe të forcave ushtarake franceze në përgjithësi, në fushën e operacioneve paqeruajtëse në veçanti për kapacitetet e FSK-së.
Në fund, të dy u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin bilateral në mes ministrive të mbrojtjes së dy vendeve për çështjet me interes në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.