Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni priti sot, në ditën e parë të saj të punës, sekretaren e përgjithshme të sapoemëruar të Ministrisë së Mbrojtjes, Rozafa Ukimeraj.
Duke i dëshiruar mirëseardhje, ministri Quni e siguroi sekretaren Ukimeraj se do të ketë të plotë bashkëpunimin dhe koordinimin në relacion me të si ministër dhe kabinetin e tij.
Ai në vazhdim shprehu besimin e plotë në eksperiencën e lartë profesionale të znj. Ukimeraj në pozitën e ngjashme të dëshmuar me performancë të lartë edhe në dikasterin e mëparshëm.
Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, krahas urimeve për detyrën dhe fillimin e punës, shprehu besimin e plotë në vazhdimin e sukseseve të sistemit administrativ të ministrisë dhe koordinimin e plotë të të gjitha veprimeve dhe aktiviteteve me të si komandant dhe shtabin e përgjithshëm të FSK-së në funksion të përmbushjes së objektivave të ministrit.
Ndërsa, zëvendës sekretari i Përgjithshëm, Faruk Geci, e siguroi sekretaren Ukimeraj se do të ofroj bashkëpunimin e plotë në periudhën njoftuese me stadin e zhvillimeve në sistemin administrativ të Ministrisë së Mbrojtjes si edhe në të ardhmen.
Nga ana e saj, sekretarja Ukimeraj, falenderoi ministrin Quni për mirëpritjen dhe shprehu zotimin e saj për angazhim të plotë në vazhdimin e punëve të administratës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe intensifikimit të përkushtimit për suksese e të arritura edhe më të mëdha në vijim me parimin e pashmangshëm të punës ekipore. Ajo përgëzoi edhe gjeneral Ramën dhe zëvendës sekretarin Geci për të arriturat e deritashme dhe ofroi bashkëpunimin e plotë edhe në të ardhmen për të përmbushur obligimet kushtetuese dhe ligjore si dhe vizionin e ministrit, qeverisë dhe qytetarëve të vendit në përgjithësi.