Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë thirrje që të mos rriten çmimet në treg, të cilat kanë ardhur si pasojë e masës 10% që është vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
Shala tha se tregtarët nuk duhet të veprojnë keq ndaj vendit dhe qytetarëve të tyre.
“Sipas informacioneve që i kemi ne si MTI, rritja e çmimit të miellit në tregun kosovar ka filluar edhe para rritjes së kësaj mase. Edhe sot i ftoj të gjithë shoqëritë tregtare në Kosovë që masat të cilat Qeveria e Republikës se Kosovës i ka marrë në raport me Serbinë edhe Bosnjën Hercegovinën, të mos i shfrytëzojnë që t’i rrisin çmimet në treg”, tha Shala, raporton Ekonomia Online.
“Ju bëj ftesë të gjithë tregtarëve që këtë masë ta shohin si mundësi më të mirë për zhvillimin ekonomik të vendit të vet dhe jo me rritje të çmimit ata si shoqëri tregtare ta dëmtojnë vendin e tyre, qytetarin e tyre”, tha Shala.
Shala ka folur edhe për vendimin e djeshëm për emrin e importueseve në produktet të cilat shiten në treg dhe në të cilët nuk është emri i Kosovës në bazë të ligjeve në fuqi.
“Pas urdhëresës së djeshme të cilën ia kam dërguar inspektoratit të tregtisë në kuadër të MTI-së, kam kërkuar nga inspektorati që ata të kërkojnë nga të gjithë operatorët ekonomik që secili produkt që gjendet në tregun kosovarë dhe në të nuk është i respektuar emri i Kosovës në bazë të ligjeve në fuqi dhe në bazë të Kushtetutës se Kosovës ai mall, ajo pjesë e tiketës së deklarimeve të mbulohet”, tha Shala.
“Këtu nuk do të shitet asnjë mall ku shkruhet “Kosova Metohija” apo “Prishtina” se ka informacione se janë duke shkruar edhe emra të disa qyteteve tjera dhe jo emri që janë importues për shtetin e Kosovës”, tha ai.