Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala me ftesë të Ministrit të Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Republikës së Kroacisë, Darko Horvat, ka zhvilluar sot takim pune në Zagreb, ku temë qendrore ishte marrëdhënia ekonomike në mes dy shteteve dhe mundësia për investime.
Ministri Shala në këtë takim shprehu falënderimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin dhe përkrahjen e shtetit kroat për Kosovën, si dhe i ftojë bizneset kroate për të investuar në Kosovë.
Ministri Shala dhe Ministri Horvat gjithashtu diskutuan dhe u dakorduan që këtë vit të organizohet një forum ekonomik i përbashkët në mes të bizneseve kroate dhe kosovare në Prishtinë, si dhe u dakorduan për rikthimin e Odës Ekonomike Kroate në Prishtinë dhe rikthimin e linjës ajrore Zagreb- Prishtinë, në mënyrë që të rriten shkëmbimet dhe komunikimi në mes të dy popujve.
Ministri Shala gjatë kësaj vizite gjithashtu shpalosi mundësit e shumta që ofron Kosova për investitorët e huaj, për më tepër ai vuri theksin në mundësit e investimeve kroate brenda kuadrit që ofron Ligji për Investime Strategjike.
Shala, e njoftoi homologun e tij për krijimin e zonave ekonomike brenda Kosovës, e që mund të shihet si një mundësi shtesë e investimeve nga bizneset kroate në vendin tonë.
Njëkohësisht, Ministri Shala së bashku me Ministri Horvat zhvilluan edhe një takim të përbashkët me bizneset më të njohura të Kroacisë, në të cilin, Shala para përfaqësueseve të lartë të këtyre kompanive prezantoi shtetin e Kosovës si një mundësi ideale për investimet dhe zhvillimin e bizneseve nga kompanitë kroate.