Shala: Stadiumi Olimpik kryhet për 14 muaj

Prishtinë | 26 Tet 2016 | 14:22 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ndërtimi i Stadiumit Olimpik në Prishtinë është kontraktuar për 14 muaj, investitor është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komuna e Prishtinës. MKRS-ja ka 75 për qind të aksioneve, ndërsa Komuna e Prishtinës 25 për qind, sepse ky stadium është i Komunës.

Kështu tha ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, lidhur  me gjendjen në infrastrukturën sportive dhe trashëgiminë kulturore; shqyrtimin e Projektligjit për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës rinisë dhe sportit; si dhe shqyrtimi i Projektligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në ngjarjet sportive.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, i ka kujtuar ministrit Shala fjalët e tij kur kishte thënë se Kosova ndeshjen e parë si vendas do ta luajë në Kosovë.

“Nëse ministria nuk është më azhure, më dinamike ndeshjen e parë rrezikohemi ta luajmë jashtë Kosovës, na ke premtuar në seancë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë ndeshjen e parë si vendas e kemi luajtur në Shkodër, Kosovë-Kroaci. Qytetarët tanë u detyruan të shkojnë në Shkodër dhe të shpenzojnë atje në total afro një milion e gjysmë euro”, u shpreh Haxhiu.

Kujtim Shala ka thënë se Stadiumi Olimpik është projekt i filluar në vitin 2011 dhe duke theksuar që ndeshja të luhet në Shkodër ka qenë zgjedhje politike.

“Pse ka probleme për dy arsye, sepse projekti i parë i tij është projekt për një stadium të kategorisë së dytë, që nënkupton maksimalisht zhvillimin e ndeshjeve miqësore dhe ndërkombëtare, por jo ndeshje zyrtare ndërkombëtare”, u shpreh ministri Shala.

Arsye e dytë sipas tij, është se “punimet e fazës parë mbi 800 mijë euro kanë qenë shumë të dobëta dhe para se të përfundonin mirë, stadiumi ka filluar të dëmtohet”.

Shala tregoi se në kohën kur e ka marrë drejtimin e ministrisë ka gjetur fazën e dytë, që nënkupton shtigjet e atletikës të cilat po ashtu, sipas tij, janë vonuar dhe nuk i ka pranuar punimet siç janë dorëzuar herën e parë.

Deputetja Teuta Haxhiu nga radhët e AAK-së u interesua për stadiumin “Agron Rama” në Obiliq se çfarë ka bërë ky dikaster për këtë stadium.

Ministri Shala tha se stadiumi në Obiliq lidhet me një ndihmë financiare nga UEFA për FFK-në duke thënë se “nga buxheti që i është dhënë FFK-së, ajo ka vendosur që një pjesë të investojë në këtë stadium, një pjesë në Gjilan, në Pejë dhe Obiliq”.

Ai ka thënë se për shkak të afërsisë me Prishtinën, dhe ambientit që ka përreth stadiumi në Obiliq, janë në procedurë të ndërtimit të dosjes së bashku me Ministrinë e Mjedisit, sepse ky stadium ka probleme me pronën.

Ide të shumta u dhanë në këtë komision, si ai nga kryesuesi i këtij komisioni, Nahit Hasani, i cili tha se ndihmë të madhe mund të japin të sponsorizuarit, nëse Qeveria i liron ata nga TVSH-ja.

kujtim-shala

Të ngjashme