Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, vizitoi sot Spitalin e Ferizajt, me rastin e shënimit të Javës së të ushqyerit me qumësht të gjirit. Ismaili theksoi edhe rëndësinë e madhe që ka informimi i nënave të reja dhe popullatës për rëndësinë e të ushqyerit më qumësht të gjirit, ndërkohë që në një bashkëbisedim me zyrtarë të Spitalit, autoritetet lokale të Ferizajt dhe profesionistët aty, shprehu përkushtimin e tij që kjo komunë, ta ndërtojë Spitalin e ri, që do të ishte një përgjigje në nevojat që i ka popullata e Ferizajt për shërbime shëndetësore më të mira.
Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha sot se nënat e reja kanë nevojë për një përkrahje më të madhe institucionale, me qëllim që për fëmijët e tyre të ketë një fillim të shëndetshëm të jetës.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka arritur që ta miratojë Ligjin për të ushqyerit me qumësht të gjirit, por i njëjti ka nevojë për një zbatim më të fuqishëm, që mund të bëhet me përkrahjen e institucioneve politikëbërëse, institucioneve shëndetësore dhe profesionistëve shëndetësor.
Ministri Ismaili tha kështu sot gjatë vizitës në maternitetin e Spitalit të Ferizajt, ku bashkë me përfaqësuesit e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, të SHSKUK-së dhe autoritetet lokale, morën pjesë në shënimin e fillimit të Javës së të ushqyerit me qumësht të gjirit (1-7 tetor 2017) në Kosovë, që sivjet shënohet me moton: “Ta mbështesim gjidhënien së bashku”.
Ministri Ismaili theksoi edhe rëndësinë e madhe që kë informimi i nënave të reja dhe popullatës për rëndësinë e të ushqyerit më qumësht të gjirit, ndërkohë që në një bashkëbisedim me zyrtarë të Spitalit, autoritetet lokale të Ferizajt dhe profesionistët aty, shprehu përkushtimin e tij që kjo komunë, ta ndërtojë Spitalin e ri, që do të ishte një përgjigje në nevojat që i ka popullata e Ferizajt për shërbime shëndetësore më të mira.
“E pamë nga vizita këtu që stafi mjekësor janë shumë të përkushtuar, por mungon infrastruktura pasi kjo që është mjaft e vjetëruar dhe nuk i përmbush nevojat. Për këtë zgjidhje do të jetë spitali i ri i qytetit që do të bëhet patjetër, sepse i duhet qytetit të Ferizajt dhe popullatës këtu. Këtë spital do ta bëjmë patjetër, dhe kjo është e sigurt, ashtu siç është e sigurt se del dielli”, u zotua Ministri Ismaili.
Z. Brandão Có, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se shënimi i Javës së këtij viti është një mundësi për ndërgjegjësimin publik mbi përfitimet dhe të mirat e gjidhënies dhe për të bërë thirrje për veprim.
“Gjidhënia nuk është vetëm pikënisja e zhvillimit të shëndoshë të fëmijës; ajo është gjithashtu themeli i zhvillimit të një shoqërie. Ekzistojnë dëshmi të vërtetuara se të ushqyerit vetëm me gjidhënie shpëton jetë dhe e mbron shëndetin e nënave dhe foshnjave”, tha Có.
Gjatë qëndrimit në Spitalin e Ferizajt, Ministri Ismaili me bashkëpunëtorë ka vizituar edhe disa reparte të këtij spitali, ku është njohur me kushtet në të cilat punohet, vëllimin dhe cilësinë e punës si dhe ka vizituar disa pacientë që gjatë vizitës ishin duke u trajtuar në këtë spital.
Java e të ushqyerit me qumësht gjiri shënohet në shumë vende për të theksuar dhe sensibilizuar të gjithë dhe në këtë mënyrë për të përkrahur këtë praktikë efektive që promovon fillimin e shëndetshëm të jetës, bazuar në fakte.
Java e të ushqyerit me qumësht të gjirit ((1-7 tetor 2017) është organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me përkrahjen e UNICEF-it dhe në bashkëpunim dhe koordinim me ShSKUK-në, QKMF-të, Postën e Kosovës, si dhe partner të shumtë si “Save the Children”, Shoqata e mamive, grupet përkrahësve, grupi për Institucionet Mike të Foshnjës.