Ministri zviceran i sportit e ka shikuar ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë në Kaliningrad. Pas fitores ai ka reaguar me mirëkuptim ndaj gjestit me shqiponjë të lojtarëve shqiptarë.
“Kush e ka përjetuar atmosferën e ndezur në stadium, e vlerëson edhe më shumë angazhimin e shkëlqyeshëm të kombëtares së Zvicrës dhe mund të kuptojë nëse kur ndonjë lojtar përfshihet nga emocionet”, ka thënë ministri Guy Parmelin.
“Nuk është qëllim i sportit që nga emocionet të krijohet një polemikë. Jemi një vend me shumë gjuhë, kultura dhe mendime dhe jetojmë në paqe së bashku”.
“Jemi krenarë me këtë kolorit. Ai e bën vendin tonë të fuqishëm. Edhe në sport”.
Parmelin është anëtar i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila mban qëndrime mjaft të ashpra ndaj të huajve.
Historiani Philipp Zwyssig ka postuar në Twitter një shqiponjë të përdorur gjatë historisë në Zvicër dhe ka shkruar se aq e gabuar s’mund të jetë kjo ideja me shqiponjë.
Deputetja Natali Rickli nga SVP kritikoi veprimin e futbollistëve zviceranë me shqiponjë. “Nuk mund të gëzohem me të vërtetë. Të dy golat nuk u dhanë për Zvicrën, por për Kosovën. Nëse një ditë fiton kombëtarja e Kosovës, gëzohem për të, por në Kampionatin Botëror ne luajmë dhe bëjmë tifo për Zvicrën”.