Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se ai punon në harmoni me ligjet e Kosovës.
Ministri i Drejtësisë nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi direkte apo indirekte për deportimin e shtetasve turq, madje u shpreh i gatshëm të ballafaqohet me ata që mendojnë ndryshe për këtë çështje, raporton Ekonomia Online.
“Në gjithë këtë debat nuk kam kompetencë për të vlerësuar se a janë zbatuar të gjitha procedurat me ligj, sepse janë organet kompetente”, u shpreh ministri Tahiri.
“Ekstradimi është i paraparë për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe autoriteti final për ekstradim është kompetencë. Nuk kemi të bëjmë me ekstradim që përfshin Ministrinë e Drejtësisë. MD ka pranuar kërkesat për ekstradim nga Turqia për 7 persona”, tha Tahiri.
Ministri Tahiri tha se që nga koha kur ai është emëruar ministër i Drejtësisë janë ekstraduar 47 persona, 31 prej vendeve tjera në Kosovë e 16 prej Kosovës në vende të tjera.
“Në vitin 2017 nga Kosova janë deportuar 344 persona. Nuk është në dijeni as presidenti, as Ministria e Drejtësisë sepse është përgjegjësi e policisë, Ministrisë së Punëve. Janë ekstraduar pa vendim gjykate”, shtoi ministri