Ministri Todosijeviq do përshtatjen e ligjeve të Kosovës për AKS-në

Prishtinë | 21 Maj 2018 | 12:28 | Nga

Puna në statutin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) po ecën pa probleme, ka deklaruar ministri në dorëheqje i Ministrisë së Administrimit Lokal Ivan Todosijeviq, transmeton Koha.net.

Sipas tij, sa i përket Ekipit drejtues në cilin janë katër serbë, statuti mund të jetë i gatshëm ashtu siç është planifikuar, deri në gusht,

Ai ka theksuar se “edhe pse është ministër resori, marrëveshjet e Brukselit nuk i lënë hapësirë që të insistohet për t’u parë teksti i statutit para se ai të prezantohet në dialogun e nivelit të lartë”.

Në pyetjen e agjencisë së serbe të lajmeve tanjug, se kur duhet që institucionet e Kosovës t’i përshtatin ligjet në mënyrë që të formohet AKS, Todosijeviq thotë:

“Përshtatja e kornizës juridike për zbatim të Marrëveshjes së parë për normalizim në fakt është dashur të fillojë para pesë vjetësh, menjëherë pas përfundimit të saj. Edhe pa projektstatutin e AKS-së, Kosova është dashur të caktojë se cilat ligje duhej ndryshuar. Në vend se të jetë konstruktive, ajo ka vendosur ta bllokojë procesin me dërgimin e marrëveshjes së AKS-së në Gjykatën Kushtetuese”.

I pyetur nëse puna në statutin është farsë, pasi që nënkryetari i Qeverisë së Kosovës Enver Hoxhaj deklaroi se AKS duhet të jetë në pako me anëtarësimin e Kosovës në OKB, Todosijeviq thotë se në këtë fazë as kryetari i Kosovës Hashim Thaçi dhe as Hoxhaj nuk kanë ingerenca, sepse ato nuk janë paraparë në marrëveshjet në të cilat mbështetet themelimi i AKS-së.

“Beogradi menjëherë e ka shprehur dyshimin në qëllimet e sinqerta të Prishtinës për t’i formuar AKS-ja e cila me deklarata të tilla vetëm sa e minon”, ka thënë Todosijeviq.

Lidhur me këtë ai ka shtuar se urdhrin për aktivizimin e Ekipit drejtues e ka dhënë BE-ja.

I pyetur nëse Kosova do ta respektojë marrëveshjen sipas të cilës (gjoja), AKS do të ketë mbikëqyrje të plotë në pesë fusha, Todosijeviq thotë se “një administratë e re do të duhej të krijonte praktika pozitive, ndër të tjera, edhe duke respektuar detyrimet ndërkombëtare”.

“Në vend të kësaj, ajo ka hyrë në ciklin e shkeljes së marrëveshjeve dhe fjalëve të dhëna. Për këtë arsye, pritjet e mia janë drejtuar në radhë të parë nga BE-ja si garantuese e zbatimit të marrëveshjeve”, thotë Todosijeviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme