Ministri i Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu i është drejtuar përmes një letre publike, Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësues special i BE, ambasadorit, Tomáš SZUNYOG,
Në fillim të kësaj letre, ministri Veliu vë në dukje se viteve të fundit, Republika e Kosovës dhe shtetet tjera të Evropës Juglindore, janë ballafaquar me një numër të shtuar të migrantëve të parregullt, të cilët në të shumtën e rasteve Kosovën e përdorin si një vend trazit, për të arritur deri tek vendet e BE-së.
“Jemi të vetëdijshëm se numri i migrantëve të parregullt ka shënuar një rritje të dukshme. Kjo rritje ka qenë sfidë për shtetin tonë, megjithatë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë ngritur të gjitha kapacitetet e nevojshme për menaxhimin sa më të mirë të ndonjë fluksi të mundshëm me migrantë. Pavarësisht vështirësive të paraqitura, Qeveria e Republikës së Kosovës ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtoj në mënyrën më njerëzore, si dhe t’u ofroi migrantëve të gjitha kushtet e nevojshme, në harmoni me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet më tej në letrën e ministrit Veliu.
Ministri Veliu vë theksin se përgjatë viteve të fundit, jemi duke hasur në raste kur autoritetet serbe në mënyrë të organizuar grumbullojnë dhe më pas i transportojnë migrantët deri në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës, me qellim që të njëjtit të kalojnë përmes rrugëve ilegale në territorin e Republikës së Kosovës.
Ministri Veliu thekson se gjatë intervistave të autoriteteve tona të zhvilluara ditëve te fundit me migrantë, jemi njoftuar nga ata vetë që një numër prej rreth 400 migrantëve tanimë janë grumbulluar në afërsi të Preshevës, me qellim që të transportohen deri në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës.
“Për më tepër, të njëjtit kanë deklaruar së ndaj tyre është ushtruar dhunë fizike dhe, përveç kësaj, janë kërcënuar me dhunë në rast se do të tentojnë të kthehen përsëri në territorin e Serbisë. Për veprimet e tilla të autoriteteve serbe, është raportuar edhe në mediat e ndryshme ndërkombëtare”, thekson shqetësimin e tij përmes kësaj letre ministri Veliu.
Në fund të kësaj letre publike, Ministri Agim Veliu shprehë shqetësimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me këto veprime të shtetit serb, të cilat janë në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare të cilat garantojnë të drejtat e njeriut dhe të trajtimit të migrantëve.
“Një shtet që aspiron që në të ardhmen e afërt të jetë anëtare e familjes së BE-së, nuk do të duhej të ndërmerrte veprime të tilla dhe të njëjtat nuk guxojnë assesi të tolerohen”, përbyllë letrën e tij ministri Veliu.