Ministri Vitia dhe ambasadorja franceze bisedojnë rreth masave në Kosovë kundër Coronavirusit

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia priti në takim sot ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel.

Gjatë këtij takimi miqësor, ministri Vitia e njoftoi ambasadoren lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për të mbrojtur shëndetin e popullatës nga Koronavirusi Covid – 19.

“Ky është një problem sfidues edhe për shtetet më të zhvilluara, ndërsa konsideroj se si shtet i ri kemi ndërmarrë veprimet e duhura përmes masave emergjente. Nga 16 personat e prekur me Koronavirus, shumica prej tyre janë familjarë të rasteve të shfaqura në fillim dhe kjo është zbuluar falë praktikës së gjurmimit të kontakteve të tyre”, ka deklaruar gjatë takimit ministri Vitia.

Ai, po ashtu, e ka informuar ambasadoren franceze se një sfidë në vete kanë qenë edhe rezervat të cilat janë gjetur në Ministrinë e Shëndetësisë, situatë kjo që ka imponuar një intervenim të menjëhershëm për të kërkuar asistencë edhe nga organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, për një përgjigje sa më adekuate ndaj situatës rreth Covid-19.

Ministri Vitia, gjithashtu, e njoftoi ambasadoren znj.Marie-Christine Butel se janë zhvilluar edhe takime me përfaqësues të spitaleve private, shoqatave dhe organizatave të komunitetit mjekësor dhe farmaceutik për të qenë të koordinuar lidhur me situatën me koronavirusin.

Në anën tjetër, ambasadorja franceze e falënderoi Ministrin Vitia për të gjitha këto informata që, sipas saj, kanë ndikuar që Kosova të jetë më e mbrojtur nga virusi i Covid -19.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme