Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se gjendja e të prekurve nga Coronavirusi është stabile dhe se orëve të fundit nuk është paraqitur asnjë rast me epideminë Covit-19, raporton Ekonomia Online.
I pari i Shëndetësisë, tha para gazetarëve se Kosova ka 1 mijë teste dhe janë porositur me urgjencë edhe 7 mijë të tjera.
“Deri tani përmes laboratorit në IKShP janë testuar mbi 320 mostra të dyshimta 20 pozitive. Dje kemi pasur edhe disa të tjera qe kanë rezultuar negative. Janë edhe rreh 1000 teste tjera. Kemi siguruar edhe një aparat tjetër qe pritet të vihet ne funksion qysh nesër”, theksoi ai.
Vitia: Dy antiviral janë treguar të suksesshëm në trajtimin e të infektuarve
Vitia tha se janë duke shikuar për dy terapi jashtë vendit të cilat kanë rezultuar të suksesshme.
“Dje dhe sot kemi marrë informatat se dy antiviral Remdesivir dhe FaviPiravir janë treguar të suksesshëm në trajtimin e të infektuarve. Sot janë kontaktuar kompanitë prodhuese dhe ambasadat dhe shpresojmë qe një kontingjent të këtyre barnave ta pranojmë sa më shpejt”, tha ministri Vitia.
Ai tregoi edhe për gjendjen e pacientëve te cilët momentalisht janë duke u trajtuar në Infektivë.
“Gjendja e të prekurve qe po trajtohen që janë 13, dhe gjendja e tyre është stabile, ku një prej tyre më i moshuar që është me oksigjeno-terapi të tjerët janë në gjendje stabile. Dy prej të hospitalizuarve janë liruar dhe po qëndrojnë në vetkarantinë”, tha ai.
“Tani shumë biznese edhe supermarkete po ofrojnë ndihma. Me spitalet private të gjithë kanë ofruar kapacitet e tyre nëse ka nevojë. Deri tani nuk është e nevojshme. Gjatë ditës pritet të sigurohet kontingjenti i parë i respiratorëve shtesë. Për momentin në sektorin publik dhe privat janë mbi 100 respiratorë të cilët nuk kanë pasur nevojë të përdoren”, tregoi Vitia.
Ai tha se bazuar në vendimin e Qeverisë për shpallen e emergjencës sot do hyjë në fuqi aktivizimi për menaxhimin e kësaj situate.
Abdixhiku: 180 qytetarë nesër kthehen nga Gjermania
E në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, foli për mbylljen e linja ajrore dhe tokësore.
Ai tha se kanë nisur kthimin e qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës.
“Kosova tashmë ka mbyllur fluturimet dhe për shkak të mbylljes së kufjeve dhe atyre tokësore një pjese e qytetareve kanë mbetur jashtë kufijve. E kemi për obligim të kujdesemi për ta. Kemi nisur organizmin për kthimin e qytetarëve”.
“Kemi bërë thirrje që ata qe s’kanë urgjencë dhe mund të qëndrojnë jashtë të mos e marrin rrugën e kthimit. Ambasadat tonë vazhdojnë të ndihmojnë në zgjatjen e qëndrimit”, tha ai.
“Secili tjetër me urgjencë kthimi do të marrë ndihmën e shtetit të Kosovës. Nëpërmjet Ministrisë së Jashtme janë udhëzuar ambasadat tona për të bërë evidentimin e kosovarëve që ndodhen jashtë. Janë 834 qytetarë që duhet të kthehen. Jemi duke i trajtuar këto raste”.
Ai tregoi se nesër presin të kthehen 180 qytetarë nga Gjermania.
Rastet e para me Coronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars.