Sipas Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, Dukagjin Goranit nuk i është nostifikuar titulli “Doktor of Philosophy”, për arsye se “…lënda nuk është komplete, pasiqë në dosje të palës mungojnë studimet paraprake bachelor dhe master!’
Marrja e një diplome a po titulli akademik në Kosovën e pas luftës tashmë është bërë një dukuri pothuajse e zakonshme dhe normale. Janë me dhjetëra e qindra “Mr” e “Dr” e me mijëra të tjerë me diploma fakulteti që janë pajisur pas lufte jo me dije e përkushtim por me lidhje e para të majme, shkruan Botapress.
Por duket se një dukuri e tillë nuk është vetëm “specialitet made in Kosova!”
Janë po ashtu një kategori e “Mr-ve” dhe “Dr-ve” që janë pajisur me tituj e me grada të tilla të shkollimit superior qoftë në Shqipëri apo edhe në vendet e tjera të Evropës e botës, por që diplomat e tilla nuk janë dëshmuar dhe nuk janë nostifikuar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, përkatësht Divizionit për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC) që funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës.
Dukagjin Gorani nuk ka diplomë të studimeve Bachelor dhe Master
Burime të Botapress-it nga Ministria e Arsimit thonë se janë disa “Dr” në Kosovë që nuk kanë arritur të dëshmojnë para Qendrës për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC) se paraprakisht kanë përfunduar studimet për Bahchelor dhe Mastër para se të marrin titullin “Dr”.
Një prej tyre është edhe Dukagjin Gorani, deputet i zgjedhur në zgjedhjet e 11 Qershorit nga Vetëvendosje.
Botapress ka kontaktuar Zyrën për medie të Ministrisë së Arsimit për të marë konfirmimin zyrtar për titullin e panostifikuar të “Dr” të Dukagjin Goranit dhe nga znj. Kumrije Gagica, Udhëheqëse në Qendrën për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC) ka marrë këtë përgjigje:
“Z. Dukagjin Gorani, me dt. 26.07.2013, ka aplikuar për njohje te gradës “Doktor of Philosophy”, te fituar ne “Cardiff University” – School of Jurnalism, Media and Cultural Studies në Angli. Pas kompletimit te përgjigjeve me dt. 10.07.2014, lënda është trajtuar nga komisioni profesional i eksperteve: Prof. Dr. Rrahman Paçarizi, Prof. Dr. Ibrahim Berisha, dhe Gjylbehare Llapi, udhëheqëse e qendrës NARIC ne atë kohe. Komisioni i eksperteve nga fusha përkatëse ka vlerësuar se lënda nuk është komplete, pasiqe ne dosje te palës mungojnë studimet paraprake bachelor dhe master, pa te cilat nuk mund te behet njohja e një grade me te lartë. Komisioni shqyrton lenden pasiqe lënda te jete e kompletuar me dokumentet e kërkuara, pra diplomat paraprake. Qe nga atëherë, Z. Gorani nuk ka sjelle dëshmi qe i ka përfunduar studimet bachelor dhe master.
Sipas UA për njohje te diplomave jashtë Kosovës, “Qytetaret e Kosovës janë te obliguar te kërkojnë njohje dhe barasvlere te diplomave dhe kualifikimeve te arsimit te Larte te fituara jashtë Kosovës” është përgjigjur me shkrim znj. Kumrije Gagica, Udhëheqëse ne Qendrën për Njohje dhe Informim Akademik (NARIC).
Dukagjin Gorani mban ligjërata në disa Kolegje private në Kosovë dhe ai pa diplomë apo pa titull “Dr” të nostifikuar nuk ka të drejtë të japë nota dhe të bëjë vlerësimin e njohurive të studentëve.
Ibrahim Berisha e Rrahman Paçarrizi flasin për vlerat e temës së doktoraturës, jo për procedurat
Botapress ka kontaktuar edhe dy anëtarët e komisionit profesional i eksperteve të angazhuar nga Ministria e Arsimit, Prof. Dr. Rrahman Paçarizi, Prof. Dr. Ibrahim Berisha, të cilët kanë folur për vlerat e larta të temës së diplomës së Dukagjin Goranit, por jo edhe për procedurat.
Në fakt dr.Paçarrizi thotë se “…Na nuk e kemi refuzu por është kërku dokumentacioni shtesë për shkollimin paraprak nga zyra e nostrifikimit”
Ndërkaq dr.Ibrahim Berisha thotë se komisioni e ka vlerësuar lart punën e z Gorani por me sa i kujtohet atij, ai ka pasur “problem” me dokumentacionin përcjellës dhe ne nuk jemi marrë me shqyrtimin e këtij rasti dhe rasteve të tjera dhe si anëtar i komisionit u jemi referuar raportit e Ministrisë për mungesë të dokumentaconit për ata kandidatë që nuk I kanë patur të plotësuara dokumentacionin dhe në mesin e tyre edhe të Dukagjin Goranit, ka shtuar Berisha. Ai poashtu është pajtuar me faktin se të gjithë kandidatët që kërkojnë nostifikimin e titullit “Dr” duhet të plotësojnë kriteret e kërkuara me Ligj për plotësimin e dokumentacionit përcjellës.
Botapress ka kontaktuar përmes Facebook-ut edhe z.Dukagjin Gorani por ai nuk e ka parë të arsyeshme t’i përgjigjet pyetjes tonë për mungesën e diplomave paraprake bachelor dhe master. (Qëndresa Azemi/Botapress)