Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit dhe Shoqata e Qumështarëve të Kosovës, kanë kërkuar sqarime prej Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural (MBPZHR) se pse janë lënë jashtë grupeve punuese.
Kryetari i Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës, Ramadan Memaj tregoi se kanë pasur një takim me zyrtarët e (MBPZHR)-së, për të kërkuar sqarime se pse nuk kanë pasur përfaqësues në asnjërin prej grupeve punuese, raporton Ekonomia Online.
Memaj thotë se pas këtij takimi, problemi është tejkaluar dhe do të bëhet një grup tjetër punues ku do të përfshihen përfaqësuesit e këtyre shoqatave, emrat e të cilëve do t’i dërgojnë të nesërmen.
“Me një informacion që kemi marrë prej Ministrisë së Bujqësisë sot është filluar me grupet punuese me masën 103 dhe 101 për prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit, mirëpo në vendimin të cilin e ka bërë Ministria e Bujqësisë pëfaqësuesit e dy shoqatave nuk kanë qenë asnjëri në grupet punuese. Ne sot kemi ardhur një grup i vogël i përpunuesve dhe Shoqatës së Fermerëve kemi kërkuar sqarim prej Ministrisë se pse nuk kemi qenë në asnjërin prej këtyre grupeve punuese pasi që po flitet për qumështin dhe përpunuesit e qumështit dhe në anën tjetër nuk jemi të përfaqësuar”
“Nga takimi që kemi pasur me zyrtarë të Ministrisë, mendojmë se ky problem është tejkaluar dhe tani do të bëhet një tjetër grup punues në të cilin do të përfshihen edhe përfaqësuesit e shoqatave. Është premtimi direkt nga sekretari i MBPZHR-së që do të përfshihen përfaqësuesit e dy shoqatave në këto grupe punuese dhe ne do të vazhdojmë me agjendën prej dy-tre ditëve. Unë kam përfaqësuar Shoqatën e Qumështarëve dhe nuk kam pasur asnjë informacion se për çfarë arsye jam përjashtuar nga këto grupe punuese por problemi u tejkalu. Ne u dakorduam që të dërgojmë emrat e përfaqësueseve të shoqatës dhe nesër gjatë ditës do t’i dërgojmë”, tha Memaj.
Në anën tjetër, Kryetari i Shoqatës së Fermerëve të Kosovës Besim Kuqi tha se kontributi kryesor i tyre, është që fermerët të flasin për vetën.
“Ne u lutëm që të jemi të pranishëm në takim por pasi s’kishim ftesë zyrtare prej tyre edhe ishin përfaqësues qe u thirren në emër të fermëerëve vendosëm të largohemi nga ky takim. Kontributi jonë është që fermerët të flasin për vetën e vet. Ne jemi të shqetësum me ata njerëz që na përfaqësojnë e nuk janë fermerë. Insistuam që me ç’do kusht të jenë të përfaqësum fermerët e të flasin për problemet e veta”, tha Kuqi.
Shoqata e Fermerëve Kosovar të Qumështit numëron mbi 2500 fermerë dhe Shoqatën e Qumështarëve të Kosovës që numëron dhjetëra përpunues të qumështit dhe mijëra të ndërlidhur në punën e tyre.