Ministria e Drejtësisë e përkushtuar për të rritur llogaridhënien dhe transparencën e përmbaruesve privat

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Me qëllim të rritjes së profesionalizmit dhe llogaridhënies në sistemin e përmbarimit privat, sot në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, u prezantua sistemi i automatizuar – Sistemi i Menaxhimit të Përmbarimit (EMS).

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendësministri Blerim Sallahu, ka falënderuar përfaqësuesit e USAID për mbështetjen në projektet të rëndësishme dhe në veçanti për mbështetjen në fushën e përmbarimit, i cili projekt do të ndihmojë në përmirësimin dhe lehtësimin e shërbimeve në procedurat përmbaruese.

EMS do të zhvillohet në përputhje me Kornizën dhe Strategjinë e Ndërveprimit të Qeverisë së Kosovës për Qeverisjen elektronike dhe do të optimizojë qasjen në regjistrat e shumtë të Qeverisë, si Regjistri i Llogarisë Bankare në Bankën Qendrore të Kosovës, Regjistri Civil i Kosovës, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, Agjencia Kadastrale e Kosovës, Regjistrimi i automjeteve, KGJK, Kufiri dhe Bankat Komerciale për raportin e transaksioneve.

Disa nga avantazhet e zhvillimit dhe implementimit të këtij projekti janë: rritja e standardeve profesionale, transparencës dhe llogaridhënies, perceptimi në zvogëlim të korrupsionit, menaxhimi më i avancuar i rasteve dhe automatizimi i veprimeve, menaxhimi i tarifave dhe shpenzimeve në procedurat përmbaruese, inspektimi elektronik nga Ministria e Drejtësisë dhe Oda e Përmbaruesve, elektronizimi i rasteve disiplinore, komunikimi më i lehtë në mes të institucioneve si dhe qasje në të dhënat dhe raportet e të gjitha grupeve të përfshira në procedurat e përmbarimit.

Pra, të dhënat e gjeneruara nga ky sistem do t’i mundësojnë Ministrisë së Drejtësisë informacion në kohë reale mbi performancën e përmbaruesve privat dhe rrjedhimisht do të mundësojnë mbikëqyrja efikase dhe efektive të ligjshmërisë së punës, disiplinimin e përmbaruesve privat, si dhe tarifim të saktë të veprimeve përmbarimore.

Po ashtu EMS do të mundësojë organizimin e të gjitha veprimeve të përmbaruesit duke siguruar pajtueshmërinë e privatësisë së të dhënave, besueshmërinë e sistemit dhe sigurinë dhe ndarjen digjitale të dokumenteve.

Ky sistem është mbështetur nga Programi për Drejtësi Komerciale i USAID-it.

Të ngjashme