Ministria e Drejtësisë ende nuk ka marrë përgjigje nga Ambasada e Britanisë lidhur me kërkesën për të ftuar policinë metropolitane Scotland Yard që të hetojë vdekjen në burg të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë i është dërguar Ambasadës më 14 nëntor, vetëm 4 ditë para se të publikoheshin rezultatet preliminare të Raportit të autopsisë së Deharit, në të cilën thuhet se ai vdiq nga “asfiksia mekanike e vetëshkaktuar”.
Ministrja Dhurata Hoxha nuk e kishte bërë fare publike këtë kërkesë, edhe pse publikisht kishte garantuar se po bën çdo gjë që është në dorën e saj për të siguruar transparencë të plotë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e rastit. Megjithëkëtë, përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka thënë për gazetën se nuk është njoftuar nga askush se janë lejuar hetimet ndërkombëtare për rastin e siç e quan ai të “vrasjes” së Deharit.
Në Ministrinë e Drejtësisë e kanë pranuar se kanë dërguar kërkesën për hetim ndërkombëtar në Ambasadën e Britanisë, dhe se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga ana e saj.
Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në rrethana të paqarta, ku po mbahej në paraburgim prej 67 ditësh, si i dyshuar për terrorizëm. Ai së bashku me 5 aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes, dyshohen se më 4 gusht kanë sulmuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me “Zolë”.(KohaDitore)