MF shpjegon pse e anuloi konkursin për drejtor të Doganës

Prishtinë | 25 Tet 2016 | 13:07 | Nga

Ministria e Financave (MF) thotë se me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të Institucioneve shtetërore si dhe për hir të transparencës si dhe dhënies së mundësive për të pasur një konkurrueshmëri sa më të gjerë Ministria e Financave njofton opinionin se ka marrë vendim për anulimin e konkursit për pozitën: Drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës.

“Anulimi i konkursit është bërë për të bërë të mundur zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa; kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli; dhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell”, thuhet në një komunikatë të MF-së.

Sipas kësaj marrëveshje, ekspertët ndërkombëtarë do të angazhohen në mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjes së drejtorit që nga fillimi.
Përmes kësaj qasjeje sigurohet transparencë e plotë në procesin konkurrues dhe përzgjedhje e drejtorit vetëm në bazë të meritës dhe profesionalizmit.

MF thekson se pozita e Drejtorit të përgjithshëm vlerësohet si pozitë e lartë shtetëror, prandaj me qëllim të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ky konkurs duhet të përsëritet.

Ministria e Financave garanton që përsëritja e këtij konkursi dhe zbatimi i Memorandumit të Bashkëpunimit do të ndikojë në zhvillimin e një procesi transparent dhe të besueshëm, ashtu siç ishte synuar me planin e rekrutimit të Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave kërkon mirëkuptim nga aplikantët si dhe i fton ata për konkurrim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme