Ministria e FSK-së mban dy pozita me ushtruesit të detyrës që nga viti 2014. Kjo sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit është e kundërligjshme, pasi ligji thotë në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre muaj.
“Ne kemi identifikuar dy raste ku drejtorët e departamenteve ishin caktuar ushtrues detyre që nga viti 2014”, thuhet në raportin e auditimit të pasqyrave financiare të Ministrisë së FSK-së.
Sipas ZKA-së, rreziku i kësaj të gjeturës është se performanca e zyrtarëve në ato pozita të mos jetë e mirë. Rrjedhimisht kjo mund të ndikojë në performancën e organizatës në përgjithësi.
Një gjetje tjetër e Auditorit, ishte edhe ekzekutimi i vonshëm i buxhetit për investime kapitale.
“Nëse i shohim lëvizjet e buxhetit në këtë kategori në mes të buxhetit fillestar dhe atij final, shohim se kjo kategori ishte reduktuar për 14,489,823€. Pavarësisht se disa nga faktorët që kanë ndikuar në këtë ishin jashtë menaxhimit nga MFSK, kjo çështje lë hapësirë për përmirësim të mëtejshëm. Për me tepër, dinamika e shpenzimit të buxhetit nuk ishte në harmoni të plotë me planin e rrjedhës së parasë, pasi që rreth 50% e buxhetit për investime kapitale ishte shpenzuar në tremujorin e fundit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo e gjetur rrezikon dobësimin e performancës së përgjithshme financiare të Ministrisë. Sipas ZKA-së, shpenzimi i buxhetit në fund të vitit ndikon në rritjen e vëllimit të punës dhe rrjedhimisht rrit mundësinë që pagesa të caktuara tu ikin kontrolleve adekuate dhe mund të pasojnë me lëshime apo gabime.
Shkelje janë gjetur edhe në procesin e prokurimit. Auditori ka gjetur se në katër raste të prokurimit procesi i vlerësimit kishte pasur vonesa ishin nga 19 deri në 26 ditë përtej afateve ligjore.
“Arsyet e vonesave të tilla sipas departamentit të prokurimit janë: mungesa e stafit në zyrën e prokurimit dhe zbatimi për herë të parë i platformës elektronike të prokurimit, me ç ‘rast disa herë ka ndodhur që nuk ka funksionuar apo ka pas vështirësi në shkarkimin/ngarkimin dokumenteve”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Rreziku i vonesave në zhvillimin e procedurave të vlerësimit, sipas ZKA-së, përveç se janë në kundërshtim më legjislacionin në fuqi, gjithashtu e rrisin rrezikun që projektet kapitale të ketë vonesa në realizim. Kjo mund të rezultojë në mos arritjen e objektivave të organizatës
Ministria e FSK-së, sipas Auditorit, nuk ka zbatuar as rekomandimet e vitit paraprak atij të vitit 2016.
“Rreziku i zbatimit jo i plotë i rekomandimeve ndikon në mos përmirësimin e dobësive të identifikuara, dhe si rezultat në vazhdimësi kemi përsëritjen e mangësive të njëjta”, thuhet në raport.
Monitorimi i rreziqeve dhe rishikimi i rregullt i këtyre rreziqeve nuk është zbatuar nga ana e MFSK-së. Sipas Auditorit, regjistri i rrezikut duhet të ketë datë dhe të rishikohet rregullisht (rekomandohen rishikime tremujore) për të përcaktuar nëse janë marrë veprimet ashtu siç është planifikuar dhe nëse është bërë ndonjë ndryshim në vlerësimet e rrezikut.
“Regjistri i rishikuar i rrezikut, duhet të nxirret pas secilit rishikim dhe të azhurnohet sipas nevojës, MFSK kishte bërë monitorimin vjetor të listës me rreziqe, mirëpo jo në baza tremujore siç kërkohet me procedurat e MFK-së”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Sipas ZKA-së, mungesa e monitorimit dhe rishikimit të vazhdueshëm të rreziqeve nga ana e menaxhmentit, rrit rrezikun që objektivat e organizatës nuk do arrihen plotësisht. Rrjedhimisht, kjo mund të rezultojë me ofrimin e shërbimeve jo cilësore.