Ministria e Infrastrukturës dhe Komuna e Ranillugut kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për një investim në infrastrukturën rrugore në vlerë prej 150 000 euro.
Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku rikonfirmoi qëndrimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Infrastrukturës për përkrahjen e mëtutjeshme për komunat e vogla.
“Me rishikimin e buxhetit shuma që ka qenë e planifikuar për t’u investuar në vlerë prej 100 000 euro në komunën e Ranillugut është rritur në vlerën 150 000 euro. Ne sot përmes Memorandumit po e bartim këtë shumë të mjeteve te Komuna që ta shfrytëzojnë në përputhje të nevojave të tyre. Kjo është në përputhje me planin e qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të gjitha komunat tona që do të ndikojë në lidhjen më të mirë të fshatrave dhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, theksoi ministri Zharku.
Kryetari i komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq, shprehu falënderimin e tij të madh për Ministrinë e Infrastrukturës dhe ministrit Zharku për përkrahjen e zhvillimit të infrastrukturës në këtë Komunë.
“Ne sot kemi planifikuar për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës për projektin kapital ‘Asfaltimi i rrugëve në komunën e Ranillugut’ në vlerë prej 100 000 euro, por ministri na besfasoi me ndarjen e mjeteve shtesë në vlerë prej 50 000 euro, që në total janë 150 000 euro. Nga kjo shihet se përbërja e re e Ministrisë së Infrastrukturës i ka kushtuar rëndësi të madhe sidomos komunave të vogla, prandaj ne e falëndërojmë”, tha ai.