Përkrahet unanimisht Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 12:42 | Nga Donika Osmani

Në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, pikë e shtatë e rendit të ditës ishte Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ganimete Musliu, përfaqësuese e komisionit, ka thënp se PDK-ja e mbështet dhe ka ftuar të gjithë deputetët ta votojnë këtë projektligj, raporton Ekonomia Online.

“Ka shqyrtuar projektligjin për kompleksin memorial “ Adem Jashari”, në parim e kemi mbështetë të gjithë, ka formuar grupin unifikues dhe gjithëpërfshirës ku të gjithë anëtarët e komisionit janë pjesë e grupit punues për shqyrtimin dhe draftimin e këtij projektligji, ftojmë të gjithë të votojmë këtë. Shpresoj që ky ligj do ndihmojë që kompleksi memorial në gjendje siç ka qenë deri më tani. Edhe në emër të GP të PDK-së i japim mbështetje këtij proejktligji”.

Lutfi Zharku, në emër të GP të LDK-së, tha se edhe ata e përkrahin Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

“LDK-ja e mirëpret sjelljen e ligjit për kompleksin memorial “Adem Jashari” dhe do ta përkrahë atë”.

Bekim Haxhiu në emër të GP të PDK-së, tha se ky ligj do të duhet të miratohej qysh nga legjislatura e parë.

“GP i PDK-së i jep mbështetje këtij ligji. Është një nga ligjet që do të duhej të miratohej qysh nga legjislatura e parë për ruajtjen dhe konzervimit të shtëpive muze, por edhe në veçanti për tërë kompleksin memorial investime që do duhej të bëheshin nga institucionet qendrore dhe lokale”.

Shemsi Syla, në emër të GP të LVV-së, tha se ky ligj ka mangësitë e veta, raporton EO.

“Ky ligj ka mangësitë e veta dhe i përngjan asaj që është krijuar për një presion në publik që ka qenë aktual me muaj të tërë për moskujdesin e kompleksit dhe normal që ne mendojmë se duhet të kompletohet duhet të pasurohet dhe të dihet se ku e ka efektin dhe çka duhet të bëjmë ne me këtë ligj dhe sa do t’i përmbahemi dhe sa do ta përmbushë misionin për një ngjarje që është për ne e shenjtë”.

“Grupi jonë e mbështet këtë projektligj përtej bazës së nevojshme ligjore shpresojmë që trajtimi i këtij memoriali të ketë cilësinë e pritur dhe urgjencën në të cilën shpresojmë të trajtohet pak më ndryshe nga institucionet përkatëse”, tha Driton Çaushi, në emër të PSD-së.

Ahmet Isufi, në emër të GP të AAK-së,  tregoi se ky ligj e ka përkrahjen edhe të AAK-së.

“GP i AAK-së ka shqyrtuar këtë projektligj të shumë pritur për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe kontributin tonë do japim gjatë amandamentimit dhe do votojmë pro”.

Ganimete Musliu iu kundërpërgjigj Shemsi Sylës duke treguar arsyet e vonesës së trajtimit të këtij ligji në Kuvend.

“ Një kritikë ndoshta që ai tha që ka ardhë ky projektligj për shkak të presionit mediatik. Për informimin e tij dhe për opinionin, është tejzgjatur periudha kohore e trajtimit të këtij ligji që ta ruajmë kontinuitetin se ky ligj është miratuar në lexim të parë dhe për shkak të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, të gjitha ligjet që mbeten në procedurë kthehen në pikën zero dhe është hera e dytë që vjen në lexim të parë në parlament. Ligji nuk është bërë shpejt e shpejt për shkak të presionit mediatik”.

Bilall Sherifi, nga GP i Nismës, tha se është momenti i fundit që ky ligj të kalojë në lexim të parë dhe të dytë, raporton EO.

“Është vonuar ky ligj, por nuk është vonuar me qëllim por për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, është momenti i fundit që ky ligj duhet të kalojë në lexim të parë dhe të dytë”.

Të ngjashme